Lajmi se në takimin Trump–Putin janë harruar dokumenta sekrete në hotel e shqetësoi shumë Mulin.
– A ka ndonjë shans të jenë dokumenta që flasin për Doktorin, e pyeti Muli, Lelon?
Se më ka thënë Gimi i Puros që çështja e “non grata”-s së Doktorit do të diskutohet në takimin me Putinin.
– Nuk jam i sigurt, tha Lelo, se Putini ka shumë “non grata” të vetat aty në listë.
– Po prandaj, tha Muli.
Putini i paska thënë që këto “non gratat” që shpalli Bajdeni, “m’i hiq”.
Sipas Gimit, Trumpi ka thënë jo, se duket si favorizim për Rusinë.
Atëherë Putini i ka thënë: “Hiq dhe ca të tjerë që të mos duket vetëm për Rusinë. Hiq dhe ca nga Ballkani.”
Aty pastaj Rubio i është afruar te veshi Trumpit dhe i ka përmendur emrin e Doktorit, që e ka porosi nga LaCivita.
Trumpi ka tundur kokën në shenjë pohimi.
Këtë Gimi e ka nga brenda. Vetëm nuk di a u vendos përfundimisht apo jo.
– Atëherë duhen parë si ecin negociatat për Donbasin, tha Lelo.
Nëse SHBA i bashkohet Evropës dhe nuk pranon që Donbasi t’i jepet Rusisë, atëherë me siguri do ta kompensojë Putinin me “non grata” dhe me këtë rast mund të shpëtojë dhe Doktori.
– Kjo është interesante, tha Muli.
Dhe Tritani më duk shumë entuziast për bisedimet.
Kishte bërë një postim që “suksesi i Trumpit është i padiskutueshëm”.
Me siguri dhe ai di ndonjë gjë.
– Mendoj se ai jeton me shpresë, tha Lelo.
Shpresa e ka mbajtur gjallë 75 vjeç dhe nuk është se i ka ecur keq.
Lekë ka bërë, deputet gjithë jetën. E ka me intuitë ai.
– Atëherë të fokusohemi te Donbasi, tha Muli.
Të kërkojmë dhe ne që ai të mos i jepet Rusisë, me qëllim që Rusia të kërkojë heqjen e “non grata”-s së Doktorit.
– Të pyesim dhe ndonjëherë Gimin e Puros, mos ka fol me Trumpin sot pasdite, tha Lelo.
Po ja hap pak muhabetin dhe Belos, se ai flet fshehurazi nga frika e Doktorit. Pastaj të vendosim.