Avokati i njohur, Idajet Beqiri ka bërë një deklaratë të fortë, duke paralajmëruar se procesi i dosjes së “21 Janarit” po hyn në fazën përfundimtare dhe se provat kyçe që fundosin Sali Berishën tashmë janë të pakundërshtueshme. Sipas tij, Berisha e ka kuptuar se nuk mund t’i shpëtojë më përgjegjësisë dhe për këtë arsye po përgatit arratisjen e tij dhe të familjarëve jashtë Shqipërisë. Beqiri zbuloi se serverat dhe pamjet e fshira nga Kryeministria pas masakrës janë rikuperuar, ndërsa ekspertiza amerikane ka vërtetuar se zhdukja e 11 kamerave është bërë me urdhër politik. Ai tha se urdhri për të qëlluar mbi protestuesit erdhi direkt nga Berisha, gjë që u dëshmua nga breshëritë e armëve të Gardës, të cilat nuk mund të ndodhnin pa një komandë të prerë.
Po ashtu, avokat Beqiri, zbuloi se në shtator, SPAK pritet të thërrasë për dëshmi Berishën, ish-kryeprokuroren Ina Rama, ish-presidentin Bamir Topi dhe figura të tjera kyçe të asaj kohe. Beqiri kujtoi se edhe Gjykata e Strasburgut ka e cilësuar masakrën e “21 Janarit” si një krim shtetëror, duke hedhur poshtë alibinë e rikoshetit që Berisha përpiqet të përdorë sot. Ai theksoi se katër viktimat dhe dhjetëra të plagosurit gjatë protestë së opozitës së kohës në 21 janar 2011 nuk ishin aksident, por objektiv i qëlluar në trup me urdhër të drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, avokat Beqiri akuzoi SPAK për papërgjegjshmëri, duke lënë Berishën të lirë të lëvizë e të planifikojë arratisjen, edhe pse ndaj tij rëndojnë akuza që çojnë në burgim të përjetshëm.
“Ky nuk ishte aksident, por një ekzekutim shtetëror dhe në shtator do të bjerë përfundimisht maska e Sali Berishës”, thotë ndër të tjera Beqiri për “Abc News”. Më poshtë po pasqyrojmë një pjesë nga intervista e Z. Idajet Beqiri, ndërkohë që theksojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
-Avokat Beqiri, dua që së bashku do flasim për një nga zhvillimet më të fundit ku ju jeni në fakt edhe avokat i familjarëve të viktimave në 21 janar. Berisha për herë të parë ka pranuar se katër vrasjet në bulevard në 21 janar të vitit 2011 ishin një krim shtetëror por pa dashje, duke thënë se nuk ka patur një urdhër që të qëllohej mbi protestuesit, por ka ndodhur nga rikosheta dhe për shkak të detyrës dhe se Garda ka një ligj, ka thënë ndër të tjera Berisha. Por avokat, çfarë do të thotë e gjitha kjo nga ana ligjore dhe çfarë ligji ka Garda? Në çfarë forme ka qëlluar Garda me armët e shtetit në 21 janar dhe mbi të gjitha a mund të qëllojë Garda pa një urdhër?
Tani procesi i 21 janarit, hetimi i çështjes, është drejt fundit. Edhe përnjëherë janë grumbulluar të gjitha provat edhe është momenti tash që në shtator do thirret të japi deklaratën e tij për ngjarjen edhe Sali Berisha, dhe më pastaj edhe Lulzim Basha, edhe Prokurorja e Përgjithshme, edhe ish-presidenti i republikës, madje edhe kreu i opozitës së atëhershme, kryeministri i sotëm. Pra do të japin shpjegimet e tyre edhe ky proces është drejt fundit. Tashmë Berisha, kuptohet, i ka njerëzit brenda atje në SPAK dhe ata e informojnë për zhvillimet e procesit hetimor dhe në çfarë faze ndodhet hetimi.
Dhe tashmë ka ardhur momenti që ai nuk mundet ta përballojë dot më këtë ngjarje nga më të rëndat dhe tragjike për shtetin shqiptar, 21 janari 2011, ku u vranë njerëzit nga shteti. Ai ishte një krim i mirëfilltë shtetëror dhe përgjegjësi kryesor i këtij krimi të rëndë shtetëror ishte Sali Berisha, kryeministri i atëhershëm, i cili faktikisht i shkaktoi këto vrasje dhe donte të përfitonte dhe përfitoi prej tyre. Kështu që në këtë aspekt, duke ditur ky tashmë që është një proces që po mbyllet, ai nuk mund të shkojë dot me ato deklarata që ka bërë në vazhdimësi dhe që kanë ardhur deri para kësaj deklaratës së fundit që ka bërë.
Deklaratat e tij të mëparshme e fajësonin 100% atë, e bënin përgjegjës për këto ngjarje edhe e nxirrnin provat që ai është urdhëruesi i tyre. Kështu që në këtë aspekt, ai nuk mund të shmangte dot më tashmë që ky nuk është një krim shtetëror. Aq më shumë që Gjykata e Strasburgut në vitin 2023, në vendimin që dha, e ka cilësuar hapur me prova, me fakte, me argumente që kemi të bëjmë me një krim shtetëror. Berisha tashmë u jep mesazhin këtyre të SPAK dhe u thotë që është një krim i vërtetë shtetëror, por që nuk kanë dashur të qëllojnë drejtpërdrejt mbi trupat e protestuesve, por plumbat kanë bërë rikoshet edhe vrasjet janë nga pakujdesia. Dhe nga ana tjetër shton që edhe familjet e dëmtuara nga ky krim kanë marrë shpërblimin përkatës. Shpërblimi nuk ka qenë i pakët sipas Berishës. Ka qenë i mirë dhe për rrjedhojë, kjo çështje tashmë që është gjykuar edhe nga Gjykata e Apelit, sipas tij, duhet të konsiderohet e mbyllur dhe duhet të mbyllet tani.
Domethënë, nuk duhet të merreni me mua se është një çështje e gjykuar. Ky është thelbi i mesazhit që jep Berisha, por në fakt është jashtëzakonisht i vonuar në të tilla mesazhe që janë qesharake. Sepse ajo ishte një vrasje shtetërore, ishte një vrasje që u urdhërua prej tij, ishte një vrasje që nuk mundet kurrën e kurrës të bëhet një vrasje nga pakujdesia. Jo një apo dy protestues, por katër u vranë, por ato u qëlluan, dhe mjaft të tjerë sepse u plagosën me dhjetra të tjerë në atë. Dhe të gjithë ata u qëlluan në drejtim të trupit, aq më shumë që kemi dhe provën që ia çuam Irakut, atë video-përgjimin, regjistrimin në të cilin thuhet: “Qëlloni në mish!”. Plus kësaj, kjo është një provë nga më të rëndësishmet; faktikisht edhe Gjykata e Lartë, Kolegji Penal, por edhe Gjykata e Strasburgut e ka kapur dhe që është faktikisht në dosje.
Berisha absolutisht nuk donte të lejonte prokurorët që të dilnin të bënin ndjekje. Kur ata shkuan për herë të dytë në selinë e Kryeministrisë, atëherë në portën e hekurit, ata kanë filmuar dhe kanë kapur gjurmët e plumbave që ishin te porta e hekurit. Dhe distanca e portës së hekurit, ku ishin plumbat e drejtpërdrejtë që qëllonin, ishte e tillë që synonin trupin e njerëzve dhe s’ishte rikoshet, por ishin plumba që kishin shkuar drejtpërdrejtë në trupin e njerëzve. Disa i mori plumbi, disa të tjerë nuk i mori se u kapën nëpër hekura, apo i lanë gjurmët në hekurat e saj. Nga ana tjetër, të gjitha provat, si ato direkte dhe indirekte, tregojnë qartë që urdhëruesi i këtyre vrasjeve është Sali Berisha. Pse është Sali Berisha? Sepse të gjitha veprimet pas ngjarjes janë të tilla që ai donte me çdo kusht të mbulonte urdhërin që kishte dhënë dhe për këtë shkak zhduku serverat. Për këtë shkak ai prishi në mënyrë mekanike gjithë përgjimet, gjithë ato kamerat përgjuese.
Dhe nuk ishte një që prishi, një apo dy, por u prishën 11 kamera mekanikisht. Kush e nxori këtë që janë prishur kamerat në mënyrë mekanike, edhe kush mund të jepte urdhërin, përveç kryeministrit të vendit në Kryeministri, për t’u prishur këto kamera? Këtë e ka nxjerrë dhe një ekspertizë që ka bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në muajin gusht ata prunë konkluzionin këtu tek ne, tek prokuroria, dhe është në dosje kjo, në të cilën thoshte që kamerat i kishin të gjitha regjistrimet por janë prishur në dy ditë: në datën 21, kur u bënë vrasjet, në orën 1 pa 10 të natës u prish një pjesë e atyre kamerave, dhe pas pesë ditëve pastaj u prishën edhe kamerat e tjera, kur Berisha nuk lejonte të futej njeri në Kryeministri dhe kur kishte strehuar aty edhe ata ekzekutorët, gardistët, të cilëve ju kishte dhënë urdhërin për të ekzekutuar dhe për të vrarë protestuesit.
-Avokat, dikush do thoshte që shkatërrimi apo fshirja e serverave të kamerave të sigurisë së Kryeministrisë ka qenë edhe frika më e madhe e Sali Berishës. Por ama dikush tjetër, nga ana tjetër, do të thoshte se a ndodhen diku të ruajtur këto servera dhe mbi të gjitha a janë këto servera tashmë në duart të SPAK?
Problemi është që unë jam i detyruar që të jap aq sa material kam nga SPAK. Edhe sikur të di dhe shumë gjëra të tjera, dhe di unë edhe shumë gjëra të tjera, por me ligj kam të ndaluar të flas sepse edhe ato materiale që i marr nga SPAK dhe që kanë karakter sekret dhe nuk duhen përhapur, unë hedh firmë atje dhe po doli kjo e dhënë atëherë unë ndëshkohem dhe dënohem me burg. Pra, është e ndaluar rreptësisht, por të mos harrojmë që serverat dhe kamerat, para se të fshiheshin ato, janë marrë dhe janë hedhur, janë regjistruar dhe pasi janë regjistruar, janë fshirë. Pra, ekzistojnë kamerat, ekzistojnë regjistrimet. A janë regjistrimet ato momentalisht në dosje të SPAK apo janë në një dosje tjetër e cila administrohet nga tjetërkush?
Domethënë, dhe këtu kam parasysh edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo një vend tjetër, por faktikisht ato janë të regjistruara, janë duplikuar dhe pasi u duplikuan, u fshinë. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër pastaj për sa i përket provave të tjera si Gjykata, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, edhe Gjykata e Strasburgut, kanë evidentuar qartë një numër të konsiderueshëm provash kundër Sali Berishës, duke e përmendur dhe me emër dhe me mbiemër atë, edhe duke filluar që nga urdhëri që dha për të deformuar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, sikur gjoja ishin qëlluar nga afër dhe ishin vrarë nga afër protestuesit, deri tek ajo alibia e tmerrshme e pikave me helm, e çadrave pistoletë e qëllimit me armë nga afër të njerëzve që ishin futur në turmë e të tjerë.
Dhe deri tek ajo që ka nënvizuar Strasburgu dhe thotë që në asnjë lloj mënyre, në asnjë lloj rrethane, alibia e kryeministrit që Garda kishte ligj edhe po të futeshin brenda territorit të Gardës për të ruajtur institucionin do të përdoreshin armët vdekjeprurëse, kjo thotë, është fatale. Nuk mund të pranohet kurrë, thotë Strasburgu. Le të futeshin thotë dhe në godinë. Le të vinin edhe në zyrën e kryeministrit thotë, dhe përsëri me armë e ka të ndaluar me ligj. Garda nuk qëllon. Nuk qëllon, domethënë, radhë. Shikon që po qëllohet ose po tentohet të qëllohet me plumba në drejtim të një punonjësi të shtetit apo funksionari të lartë në atë kohë, përsëri këtë e ka, thotë, paralizoje, thotë, jo vrite. Pra, paralizoje që të mos arrijë të bëjë diçka, kurse protestuesit s’kishin asnjë gjë, ishin me duar në xhep. Aq më shumë këta që u vranë, gjithë këta që u vranë, asnjëri nuk ishte te gardhi, asnjëri nuk ishte larg saj. Kështu që në këtë drejtim, në shtator ne do të shikojmë se thuajse po i jepet fund hetimit. Por këtu ka një gjë. Edhe unë këtu domethënë nuk e kuptoj këtë papërgjegjshmërinë e rëndë të SPAK-ut, i cili, megjithëse po i shkon në fund hetimit, megjithëse kemi të bëjmë me vrasje të cilësuara, çka do të thotë burgimi i përjetshëm për urdhëruesin dhe për të tjerët që i kanë ekzekutuar urdhërat e tij, ata përsëri e lënë të lirë Sali Berishën të shëtisin dhe ai tash po bën rikonicionin se ku do vejë, do fshihet me familjen e vet.
Ka shkuar në Kosovë, e keni parë ju, por në Kosovë ai nuk vete të vejë të paktën në Prishtinë apo në Prizren e të tjera. Jo, ai vete në stok atje ku është afër Serbisë. Domethënë, vete atje dhe shikon tani nga do vejë, nga s’do vejë e të tjera, edhe ka rrezik që ai të arratiset nga Shqipëria. Mirëpo, kjo është tepër e rrezikshme të kesh në duar një hetim siç është 21 janari, që është një krim i rëndë shtetëror, dhe që ke një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, dhe që ke një vendim të Gjykatës së Strasburgut. Dhe nga ana tjetër je drejtë përfundimit të hetimit dhe e shikon që dhe ai vetë më në fund ju futën këmbët me një këpucë, i erdhi vezët ku nuk dhe thotë tani që vrasje shtetërore ishte, po do ta kanalizojë si vrasje nga pakujdesia.
Sepse po të thotë vrasje nga pakujdesia, dënimin, vrasjen nga pakujdesia e ka deri në tetë vjet burg. Edhe kur dënimi është 90 vjet në burg, është parashkruar se ka kaluar afati edhe do ta mbyllë kështu Saliu këtë punë dhe e lënë të lirë në një kohë që ai duhet të mbahej jo thjesht dhe vetëm nën vëzhgim, por nuk duhet lejuar tani që të dali jashtë Shqipërisë. Kështu që këtë unë e konsideroj një mendjelehtësi të jashtëzakonshme, minimumi mendjelehtësi, për të mos thënë atë që është më e rënda dhe që populli faktikisht ka filluar dhe të trembet sepse kanë filluar të thonë hapur që më duket thonë Dumani i thotë vetë Saliut: “Sha sa më shumë mua, sepse duke sharë sa më shumë ashtu mbroj më mirë unë”. Muaji shtator është muaji që do thirren me radhë dëshmitarët më të rëndësishëm, deklaruesit më të rëndësishëm, se s’mund të quhen thjesht dëshmitarë ata deklaruesit, dhe që pastaj ata do të kthehen. Një pjesë e mirë e tyre do të kthehen edhe në të pandehur. Një pjesë është thirrur dhe i kanë dhënë deklarimet e tyre, por kryesorët do thirren në shtator.
Edhe pritet që në shtator do thirret Lulzim Basha që është bashkëpunëtor në krim, Sali Berisha që është bashkëpunëtor në krim, por do thirren edhe persona të tjerë për të dytën herë, edhe ish-komandanti i Gardës, edhe ish-zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili ka qenë në zyrë me Saliun edhe ai do të shpjegojë edhe pse doli i plagosur komandanti i Gardës nga zyra e Saliut dhe pasi doli i çarmatosur dhe i dhunuar rëndë aty, i plagosur rëndë në sy, atëherë filloi ai dha urdhërat. Dhe nga ana tjetër pastaj që ishte e rëndësishme kjo që duhet ta thosha pak më parë, në këtë vrasje kur thuhet ligjin e Gardës e dimë e të tjera, por nëse do të vepronte ligji i Gardës, do të kishte një ligj të Gardës që gardistët do vepronin individualisht ata, atëherë nuk do të kishim neve një goditje breshëri të menjëhershme.
Nuk ishte problemi se u qëllua nga një gardist edhe pastaj një gardist tjetër qëlloi e u vra dikush. Jo, urdhri qe i menjëhershëm dhe pastaj qëllimi qe breshëri, menjëherë u qëlluan të gjitha armët që kishte atje Garda që ishin pozicionuar në dritaret e Kryeministrisë. Pra, ishin breshëri dhe breshëritë bëhen vetëm kur ka një urdhër të prerë, një urdhër të fortë, një urdhër kryeministror. Kështu që në këtë aspekt Saliu nuk i shmanget dot, edhe nga kjo pikëpamje, këtij krimi shtetëror që bëri./Rigels Seliman