Nga Baton Haxhiu
“Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!”.
Në gojën e Jusufit, këto janë vargje të shenjta. Ashtu i ka menduar. E ka pas bindje. Në statusin e Donikës, ato kthehen në farsë.
Ta provojme sqarimin e tyre ne kohën dhe lëkurën e Donikës politikane se çfarë domethënje kanë këto vargje.
“Rruga e nderës asht ma e zorshmja…” E sakt, vërtet e zorshme, sepse Donika nuk e zgjodhi kurrë. Ajo zgjodhi rrugën më të lehtë, t’i dorëzojë dosjet e luftëtarëve në Hagë. Ajo nuk e pa nderin si barrë të Jusufit, por si bagazh për ta hedhur në dorë të huaj. Dhe tani e përdor vargun si stoli manipulimi, kur e vërteta është se rrugën e nderit, Donika e shmangu jo gjithë jetën, por për një kohë të gjatë.
Pastaj, vargu i dytë:
“…po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun.”,
Për Jusufin, po. Për të bijën, jo. Ajo nuk ka ecur ose më mirë thënë nuk po ecen në këtë rrugë. Për të, e vetmja rrugë e vërtetë ka qenë ajo që e çon në zyrën e radhës të Albin Kurtit. Një rrugë e mbushur jo me sakrificë, por me servilizëm. Dhe kjo është ironia që ther, kur e reciton ajo, fjalia bëhet pasqyrë e boshllëkut.
Pstaj vargu i tretë:
“Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!” .
Jusufi e gjeti nderin në vdekjen e tij, në jetën e flijuar. Donika, nëse e ka kërkuar ndonjëherë, e ka gjetur vetëm turpin duke cituar sinqeritetin e Jusufit në paftyrësinë e vetvetes. Sepse nuk ka heroizëm në dorëzim, nuk ka nder në shndërrimin e një trashëgimie të shenjtë në status politik. Ky varg është si një epitaf që i vishet pa dëshirë, kush u mundua për nder, gjeti nder(Jusufi), Kush u mundua për pushtet, gjeti 57 vota (Donika).
Ky është thelbi i gjykimit moral. Parlamenti foli qartë: vetëm 57 vota për një kandidate që mbështetej tek mbiemri, jo tek vetja. Dhe ky është një varrim i dytë politik, jo i Jusufit, por i Donikës. Sepse vargjet që duhej ta ngrehnin, e zhytën edhe më shumë në poshtërsi.
Kandidatura e saj nuk ishte rastësi. Albin Kurti nuk ka më figura që të shesë si bartës të trashëgimisë patriotike. Atij i duhej një emër, jo një vizion. Dhe mbiemri Gërvalla i dha mundësinë të maskojë boshllëkun. Donika nuk ka peshë, nuk ka kredenciale politike, por ka një mbiemër që tingëllon si hero. Dhe kjo është e mjaftueshme për Kurtin.
Por përse i kthehet ajo vargjeve të babait?
Sepse nuk ka asgjë tjetër. Si ministre e jashtme, ka dështuar sepse ka prishur ura në vend të ndërtimit, ka krijuar armiqësi në vend të miqësive. Nuk ka lënë asnjë arritje që mund të përmendet. Dhe kur nuk ke arritje, e vetmja strehë është hija e të atit. Ky është imoraliteti politik, imoralitet familjar sepse është turp të përdorësh kujtimin e një martiri si mbulesë për boshllëkun personal.
“Rruga e nderës” në rastin e saj nuk është udhë, është pasqyrë. Aty shihet fytyra e një politike që nuk ka lidhje me sakrificën e Jusufit. Sepse ai e jetoi nderin deri në fund, ajo e përdor nderin si status në Facebook pas një humbjeje. Ai u mundua për nder dhe e gjeti te pushka e tij e heshtur në mërgim. Ajo u mundua për pushtet dhe gjeti një votim të turpshëm, 57 vota që e shpallën të tepërt.
Ky është poshtërimi i dyfishtë. Kurti përdor Donikën për pushtet, Donika përdor Jusufin për mbijetesë. Të dy e përdorin të shenjtën për të mbuluar të përditshmen. Por të vdekurit nuk kthehen për të shpëtuar të gjallët në poshtërsinë e tyre. Ata heshtin. Dhe heshtja është gjykim.
Jusuf Gërvalla mbetet figurë e shenjtë, i paprekshëm nga përdorimi banal i politikës. Donika është vetëm hija e tij e deformuar. Midis tyre ka një vijë të prerë, ai vdiq për Kosovën, ajo e përdori Kosovën për të mbijetuar. Ai shkroi vargje që frymëzojnë, ajo i reciton si mbulesë turpi. Ai hesht me dinjitet, ajo flet çdo ditë dhe e varros për së gjalli veten.
Dhe kjo është tragjedia e saj sepse Jusufi mbeti në histori si njeri i nderit, Donika mbetet në politikë si përdorim i turpit. Ai la vargje që u këndojnë brezave, ajo i ktheu në epitaf për veten.
Në gurin e saj politik tashmë është shkruar: “kush u mundue për nder, nder ka gjetë, kush u mundue për pushtet, veç turp ka mbetë”.