Një seri zjarresh të qëllimshme kanë përfshirë mbrëmjen e djeshme zonat e Dukatit, Drashovicës dhe Vajzës në qarkun e Vlorës, duke ngritur alarmin tek autoritetet dhe banorët lokalë.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detajet e fundit nW lidhje me situatën ndërsa ka shtuar se dyshohet që zjarret janë shkaktuar nga një grup i strukturuar kriminal, që ka vepruar me qëllim dhe në mënyrë të koordinuar.
Zjarret u shfaqën mes orës 20:15 dhe 22:15, në një periudhë kohe që konsiderohet kritike për shkak të pamundësisë për ndërhyrje ajrore. “Anëtarët e këtij grupi kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri, gjë që tregon një planifikim të mirëfilltë kriminal,” thuhet në reagimin e Ministrisë.
Dukat i Ri ishte një nga vatrat më të rrezikshme, por falë reagimit të menjëhershëm të emergjencave civile, zjarri u izolua dhe u shmang çdo rrezik për banesat. Ndërkohë, tre vatra aktive në lartësitë e Drashovicës dhe dy të tjera në Vajzë mbeten ende të pakontrolluara.
Reagimi:
Sonte, mes orës 20:15 dhe 22:15, është shfaqur një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë.
Pas reagimit të shpejtë të emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara.
Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë mbeten aktive.
Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura janë në terren në këto dy fshatra, duke krijuar perimetra sigurie.
Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri.
Forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve.