Në një mbrëmje magjike në ‘Todor Proeski Arena’ të Shkupit, Shkëndija e Tetovës siguroi të enjten një fitore historike ndaj kampionëve të Bullgarisë, Ludogorets, duke triumfuar me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë play-off të Europa League.
Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 17-të me golin e Deroy Duarte, por kuqezinjtë e trajnerit Jeton Beqiri reaguan shpejt. Në minutën e 35-të, Liridon Latifi realizoi një supergol nga goditja e lirë, duke barazuar shifrat dhe ndezur atmosferën në tribuna.
Pjesa e dytë solli momentin e madh të kapitenit Besart Ibraimi, i cili në minutën e 60-të shënoi golin e fitores pas asistimit të Latifit, duke e çuar stadiumin në festë. Deri në fund, Shkëndija mbrojti avantazhin, me portierin Gaye që u shndërrua në hero me disa pritje vendimtare.
Ky rezultat jo vetëm që i jep Shkëndijës një avantazh të çmuar përpara ndeshjes së kthimit në Razgrad, por gjithashtu tetovarët kanë siguruar grupet e Conference League.