Nëna, babai dhe gjyshi i vajzës 4-vjeçare shqiptare që u gjet dje e mbytur në pishinën afër shtëpisë në Paxos të Greqisë, kanë dalë sot për të dëshmuar në Prokurori rreth dinamikës së ngjarjes së rëndë dhe pse fëmija ishte pa mbikëqyrje.
Policia greke njoftoi se i arrestoi të tre pas ngjarjes së ndodhur vetëm pak metra larg shtëpisë ku jetonin.
Ata kanë dëshmuar se ‘vajza po luante në korridorin e shtëpisë dhe se zhdukja e saj ndodhi brenda pak minutash, pa u vënë re’. Babai dhe gjyshi janë shprehur se ‘nuk e prisnin diçka të tillë dhe se gjithçka ndodhi shumë shpejt, në një moment që askush nuk e kishte vërejtur’.
Prokurori ngriti akuzë penale ndaj tre të afërmve të vajzës për ekspozim të të miturit në rrezik, pasi nëna, babai dhe gjyshi ndodheshin në shtëpi dhe ishin në gjumë në momentin që vajza 4-vjeçare u zhduk.
Sapo të afërmit kuptuan zhdukjen e vajzës, njoftuan menjëherë policinë dhe filluan ta kërkonin bashkë me fqinjët dhe oficerët e policisë, ndërsa e gjetën 150 metra larg, të mbytur në pishinën e një vile të jepej me qira dhe ku nuk kishte njeri.
Trupi u zbulua nga kuzhinieri që shkoi atje për të punuar. Pavarësisht përpjekjeve, vajza nuk mbijetoi dot.