Nga Ermal Barjami
Ka diçka të veçantë te flamingot. Kur i sheh nga larg, duken si një tufë e qetë, pothuajse dekorative. Rrinë në ujë, lëvizin ngadalë dhe japin përshtypjen e një qetësie absolute. Por biologët kanë vënë re se brenda tufës ekziston një mekanizëm i padukshëm komunikimi. Nuk ka komandant. Nuk ka gjeneral. Nuk ka një flamingo që jep urdhra. Megjithatë, në një moment të caktuar, e gjithë kolonia ndryshon drejtim, ngrihet në fluturim ose zhvendoset si një trup i vetëm.
Kjo ndodh sepse çdo flamingo lexon sinjalet e të tjerëve. Një lëvizje e vogël përhapet nëpër tufë derisa kthehet në një veprim kolektiv. Fuqia nuk qëndron te individi, por te vetë rrjeti i reagimeve që lidh individët me njëri-tjetrin.
Në Shqipëri, sot herë qytetarët kanë dalë nëne sheshe, pyetja e parë është: “Kush i organizoi?” Sikur të ishte e pamundur që njerëzit të arrijnë vetë në të njëjtin përfundim. Sikur zemërimi të mos ishte i mjaftueshëm për t’i bashkuar. Sikur padrejtësia të mos prodhonte vetvetiu reagim.
Një i ri sheh se diploma nuk i garanton punë. Një familje sheh se mezi përballon jetesën. Një biznes sheh se konkurron jo me tregun, por me privilegjin. Një qytetar sheh se ligji zbatohet ndryshe për të fortin dhe ndryshe për të zakonshmin. Secili përjeton problemin i vetëm. Por në një moment kupton se problemi i tij nuk është individual. Është kolektiv.
Aty fillon fluturimi.
Filozofi gjerman Georg Wilhelm Friedrich Hegel do ta quante këtë kalim nga vetëdija individuale në vetëdije kolektive. Ndërsa Jose Ortega Gasset do të thoshte se masat lëvizin kur kuptojnë se ndajnë të njëjtin fat historik.
Prandaj flamingot janë një simbol interesant. Ato nuk bashkohen sepse janë identike. Bashkohen sepse ndodhen përballë të njëjtit mjedis. Edhe protestuesit nuk kanë të njëjtat bindje politike, të njëjtën moshë apo të njëjtin status social. Ajo që i bashkon është përvoja e përbashkët e një realiteti që nuk funksionon.
Pushtetet shpesh kërkojnë të gjejnë “komandantin e flamingove”. Është më e lehtë të besosh te një komplot sesa te një pakënaqësi e vërtetë popullore. Më e lehtë të fajësosh një organizator sesa të pranosh se mijëra njerëz mund të kenë arritur vetë në të njëjtin përfundim.
Por historia tregon se lëvizjet më të mëdha nuk kanë lindur nga urdhrat. Ato kanë lindur nga grumbullimi i heshtur i pakënaqësive, derisa një ditë shoqëria arrin në pikën kritike.
Ashtu si flamingot që duken të palëvizshme për orë të tëra dhe papritur mbushin qiellin me krahët e tyre, edhe shoqëritë mund të duken të qeta për vite me radhë. Derisa një ditë qytetarët kuptojnë se nuk janë vetëm.
Dhe në atë moment pyetja nuk është më “Kush i komandon flamingot?”
Pyetja bëhet!
Çfarë ka ndodhur që e gjithë tufa vendosi të ngrihet në fluturim?





