Kori i protestave te Tiranës u zhvendos në Rrjoll, edhe kësaj here ashtu si për Zvërnecin, për kundërshtimin e një resorti luksoz, atë të botuesit Bashkim Ulaj, me të cilin janë në betejë prej disa muajsh për pronat ku do zhvillohet projekti.
“Nëse mundemi do e heqim rrethimin. Për shtetin kemi thirrje, mos na bjer në qafë”, tha një protestues.
Banorët e Rrjollit, aktivistë por dhe mbështetës të tjerë, të cilët prej ditësh kanë qenë në sheshet e kryeqytetit, fillimisht ndërhynë për të shembur rrethimin e vendosur mbi muret e betonit dhe hynë brenda kantierit.
Policia e Shtetit ndryshe prej herëve te tjera dukej qartazi e orientuar për mbajtjen nën kontroll të situatës. Asnjë person nuk u shoqërua. Në kantier nuk kishte roje private të sigurisë, ndërsa në krye të efektiveve të angazhuar në terren ishte vetë kreu i policisë së qarkut, Gentjan Berberi, i cili bisedoi disa herë më banorët.
Pasi hynë brenda kantierit protestuesit dukë përdorur mjete rrethanore, hoqën gardhin me tela me gjemba në rrethimin në fundin e kantierit pranë bregdetit, dhe rrëzuan disa nga shtyllat.
Pas kësaj, shembja e portës së madhe në kantier ishte objektivi i radhës i protestuesve, të cilën e shembën. Një prej organizatoreve te protestave edhe në Tiranë, banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj u shpreh e vendosur për të kundërshtuar investimet abuzive siç tha ajo mbi pronat e te parëve te tyre.
Banorëve te Rrjollit ju bashkua edhe kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori dhe deputeti i partisë së tij Redi Muçi.
Resorti ‘Blu Borgo’ në Rrjoll të Velipojës që po bëhet nga kompania Gener-2 e Bashkim Ulaj është planifikuar të shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.
Investimi është kundërshtuar me forcë nga banorët e zonës, pasi pretendojnë se tokat e tyre janë grabitur me dokumente false nga një ish-zyrtar i cili më pas ia ka shitur kompanisë ndërtuese. Punimet kanë nisur që në shkurt, por ditët e fundit kantieri i ndërtimit u “fortifikua” me mure të larta.
Banorët kanë bërë padi në SPAK e cila e delegoi çështjen në prokurorinë e Shkodrës, por deri më tani s’ka asnjë zhvillim, ndaj punimet kanë vijuar normalisht.





