Sa më shumë që SPAK heton pushtetarë apo zyrtarë të lartë të korruptuar, aq më shumë kupton se drejtësia në këtë vend bëhet sipas planit “një të nënës dhe një të njerkës”, ku këta të “nënës” sigurisht janë zyrtarët dhe politikanët, kurse të “njerkës” janë kontigjenti i krimit të organizuar.
Ne nuk po kërkojmë që institucionet e drejtësisë t’i grupojnë dhe këta të njerkës tek djepi i nënës, por ama kur drejtësia funksionon për disa, përse çalon kur vjen puna tek politikanët e kalibrit deri tek këta të nivelit më të ulët, që arrestohen si hajdut e të korruptuar, por pa “asnjë kacidhe në xhep”?!
Rasti më flagrant është i drejtorëve të Bashkisë Tiranë, të arrestuar për korrupsion, që kanë në pronësi një grup vilash në një nga komplekset elitare të gjirit të Lalëzit, por që SPAK nuk arrin dot t’i gjej, edhe pas disa denoncimeve nga media, duke na bërë të mendojmë se ndoshta i frikësohen zyrtarëve që i ka arrestuar, ose rojes së kompleksit që nuk i lejon të hynë për një kontroll.
Në fakt 4 vilat janë lehtësisht të dallueshme dhe pronarët i gjen kollaj, pasi janë njëra pas tjetrës, tamam si zyrat e punës brenda Bashkisë Tiranë. Fakti që SPAK nuk ka referuar këto prona në dosje, që nuk justifikohen me pagat e tyre si nëpunës publikë, pyetja e madhe që lind është: pse nuk verifikohet burimi i pasurisë së tyre dhe nuk është bërë sekuestrimi i vilave të dyshimta?
Kjo është një shfaqje e qartë e pabarazisë dhe arrogancës së pushtetit vendor, ku me sa duket ligji është i barabartë për të gjithë, por për disa, është edhe më i barabartë. SPAK po kthehet në institucion i pjesshëm, që godet aty ku nuk ka kosto politike por vetëm kosto për xhepat tanë, që mbetën bosh… çuditërisht njësoj me ata që na kanë vjedhur!/VIJON