Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, reaguan një ditë më parë pas vendimit të Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion për t’i vënë në dispozicion materialet hetimore vetëm në format elektronik. Sipas tyre, SPAK i ka dorëzuar një USB me të gjitha aktet e dosjes, por në kushtet e izolimit ku ndodhet, Veliaj nuk ka asnjë mundësi t’i aksesojë ato.
Kryebashkiaku kishte kërkuar një kopje fizike të dosjes për të përgatitur mbrojtjen e tij, por kjo kërkesë është refuzuar. Avokatët theksojnë se ky veprim cenon të drejtën e mbrojtjes së garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga mbrojtja është edhe pamundësia për t’u takuar me avokatët ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën e Strasburgut. Sipas tyre, refuzimi i SPAK për këtë takim tregon qasje me parimin “në fillim arresto, pastaj heto”.
Avokatët nënvizojnë gjithashtu se Veliaj, përveçse i pamundësuar për të ndjekur mbrojtjen e tij, nuk mund të ushtrojë as detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për tre mandate radhazi. Çështja, sipas tyre, pritet të përfundojë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.