Pas vendimit të Presidentit Trump që Soros dhe djali i tij të hetohen në SHBA, për mbështetje ndaj organizatave kriminale, Muli ia nisi punën për të hartuar planin e demontimit të Sorosit në Shqipëri.
— Duhet një plan konkret, — i tha Lelos. — Duhet t’ia çojmë në zyrë Trumpit, por jo përmes Belos. Duhet të gjejmë një linjë tonën. Ndoshta Gimi i Puros eshte me i sakti.
Ideja duhet të jetë e qartë: Trumpi duhet të shpallë Sorosin “non grata” siç e ka kërkuar Doktori. Pastaj dhe djalin e Sorosit, siç e ka zakon SHBA në këto raste. Në atë moment, ne do kërkojmë të shpallet “non grata” edhe Edi Rama, që është mik i Sorosit dhe i djalit të tij.
Kjo duhet të jetë strategjia.
— Po kjo na sjell rreziqe, — tha Lelo. — Se pastaj Edi Rama barazohet me Doktorin, janë të dy “non grata” dhe na rikthehet Luli.
— Jo, zotëri, e ke gabim. Në momentin që shpallet Rama, bie “non grata” e Doktorit, se Doktorin e ka shpallur Sorosi. Tani nuk mund të jenë “non grata” edhe armiqtë edhe miqtë e Sorosit në të njëjtën kohë.
— Epo për këtë na duhen garanci, — tha Lelo. — Sidoqoftë, ne do punojmë në këtë drejtim. Fillimisht duhet të bindim Presidentin Trump të shpallë Sorosin “non grata” në SHBA. Nuk di, a ka ndonjë amerikan “non grata” në SHBA? Se i bie të mos lejohet të hyjë në SHBA…
— Duhet të ketë patjetër, Doktori nuk e thotë kot. Por edhe po nuk ka, le ta bëjnë këtë shembull të parë, ta zbojnë andej nga ka ardhur.
— Po puna është se ka ardhur nga Hungaria dhe atje nuk e duan. Se ai është dhe hebre. Duhet të kthehet në Izrael.
— Ta çojnë ku të duan, e rëndësishme është ta dëbojnë njëherë, — tha Muli. — Duhet të punojmë fort në këtë drejtim. Pas kësaj duhet të dërgojmë një raport për gjithë politikanët shqiptarë që kanë bashkëpunuar me të.
— Si politikan, më shumë ka bashkëpunuar Doktori, — tha Lelo. — Po ashtu ishte koha, atëherë kishim nevojë, nuk e dinim që na e kishte me hile.
— Jo, s’ka problem, — tha Muli. — Vëmë kriter vitin. Kush ka bashkëpunuar me Sorosin nga viti 2016 e mbrapa, që kur ka hyrë Trumpi në politikë. Se pasi ka hyrë Trumpi në politikë, nuk ka më arsye të jesh me Sorosin. Kështu që po vëmë kufi 2016. Me këtë kriter e ha Rama dhe Basha.
— Kështu jam dakord, — tha Lelo. — Tani na duhet një njeri i sigurt t’i çojë fjalë Trumpit. Fol me këtë Gimin e Puros njëherë, se ka pasur një lidhje me shoferin e një kongresmeni republikan, që e ka pasur komshi shoferi i tij, dhe ai kishte një mundësi ta takonte Trumpin.
— Do flas menjëherë, — përfundoi Muli me vendosmëri.