Ish-kryeministri Sali Berisha ka vazhduar sulmet ndaj drejtësisë, duke shënjestruar drejtpërdrejt gjyqtaren Irena Gjoka dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.
Pas paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën e detyrimit me paraqitje, Berisha përsëriti akuzat ndaj Gjokës, duke pretenduar se ajo ka qenë e dënuar dhe e dëbuar nga Greqia. Ai shtoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vepruar me standarde të dyfishta, fillimisht duke pranuar kërkesat për shkarkimin e saj, e më pas duke ndryshuar qëndrim “nën presion politik”.
Berisha përmendi vendime të vitit 1996 dhe të vitit 2023, duke akuzuar KLGJ-në se ka mbrojtur gjyqtaren pavarësisht dokumenteve dhe fakteve që, sipas tij, dëshmonin konflikt të pastër interesi. Madje, ai iu referua edhe një artikulli të gazetës greke “Ta Nea”, e cila ka shkruar se Gjoka është dëbuar nga Greqia, por që – sipas Berishës – është anashkaluar nga drejtësia shqiptare.
Sulmet e tij nuk u ndalën vetëm tek Gjoka. Në çdo dalje publike, Berisha ka shënjestruar edhe kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke e akuzuar si pjesë të një procesi politik kundër tij.
Pavarësisht këtyre deklaratave të rënda, KLGJ deri më sot nuk ka dhënë asnjë qëndrim zyrtar mbi akuzat ndaj gjyqtares apo ndaj sulmeve personale të Berishës. Ndërkohë që Këshilli reagon shpesh për çështje të tjera, si administrimi i territorit, në këtë rast heshtja e tij ngre pikëpyetje: A duhet të marrë qëndrim KLGJ kur sulmohen nominalisht gjyqtarë dhe prokurorë nga persona nën hetim apo gjykim prej tyre?/N.L./TemA