Nga Anri Bala
Na ka gjet belaja me idiotët e dobishëm, mbetje të biodegraduara të këtij dhe atij sistemi, që ka prodhuar ose analfabetë funksionalë, ose njerëz të poshtër. E shkatërruan protestën, shejtan-budallenjtë!
Në fillim i degdisën protestuesit të bënin kilometra, tani po i çojnë në përplasje me “regjimin”: dhunë paradite, mesazhe paqeje pasdite dhe xhiro në aeroport…!
Po si nuk e kuptoni që thirrjet për përplasje paradite dhe apel për paqe pasdite krijojnë konfuzion, zhgënjim dhe mosbesim te qytetarët që kërkojnë ndryshim real?!
Kështu thoshin edhe protestuesit e dhunshëm para jush se: “Na provokoi policia”, prandaj u kufizuan me lëvizje militantësh, që kishin të njëjtën mendësi dhe nuk iu përgjigj asnjë qytetar i vetëm molotovit dhe djegies së kazanëve të plehërave.
Provincialë, që u ka hyrë prasi në prapanicë dhe kujtojnë se janë të rëndësishëm tani dhe mund të “fluturojnë”! Pika që s’u bie “ajkës” tuaj, që kërkon t’i çojë mijëra qytetarë paqësorë në një protestë të dhunshme!
Sajojnë skenarë, se po u arrestuan “heronjtë” e tyre të rremë, populli do të rebelohet e do të ngrihet në këmbë… të djeg Kryeministrinë! O të mjerë, jeni me mijëra, vetëm pse protesta është paqësore! O rrypa, kush po predikon dhunë, po lyp zemëratën e atyre që deri dje besuan te ju, te kjo lëvizje!
Si mundet një protestë që nisi prej dhunës së ushtruar ndaj një qytetari dhe dhunës shtetërore në zaptimin e pronës publike, të sajojë skenarë dhune, që të ushtrojë të drejtat e munguara e të imponohet?! Këtë doni të bëni? Dhuna është zgjidhja?!
Më shqetësues është roli i ca sharlatanëve që prej ditësh po ushqejnë fantazinë e një “shpërthimi të zemëratës popullore”, duke shitur dhunën si zgjidhje heroike. Në realitet, kjo është një formë manipulimi cinik që po ju bëhet, ku shpresa e njerëzve përdoret si karburant për ego personale të sëmura, protagonizëm apo agjenda të fshehta.
E thënë troç, i’u kanë hedhur krahun në qafë por gishtin e keni në prapanicë!
Nuk mundet një protestë që ka lindur si reagim ndaj dhunës, të bjerë në të njëjtën logjikë të përdorimit të forcës për të legjitimuar pakënaqësinë ndaj një sistemi. Nëse mjeti bëhet po aq i dhunshëm sa problemi që denoncohet, atëherë kauza rrezikon të humbasë. Ndryshimi i qëndrueshëm nuk ndërtohet mbi kaos, por mbi organizim, qartësi morale dhe besim qytetar.
Kur protesta paqësore rrëmbehet nga retorika e dhunës, ajo humbet legjitimitetin moral dhe politik që e bën të fortë përballë një regjimi apo sistemi të padrejtë.
Farë e keqe! Hajdutë jeni ju, që vodhët shpresën e mijëra njerëzve, i keqpërdorët, e tani po i hidhni në turrën e druve! Kontrollojuni xhepat pushtave, se diçka do të gjeni! / Ekskluzive.al





