25 majin e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi 5 me 3 në favor të Erjon Veliajt, duke urdhëruar Gjykatën e Lartë, që të argumentojë pse nuk ka pranuar kërkesat e kryebashkiakut për jo proporcionalitet e të masës së sigurisë dhe mbylljen në ka kafazin e xhamtë gjatë seancave gjyqësore.
Ky vendim është zbardhur i plotë këtë të mërkurë, ndërsa argumentimet e gjyqtarëve tregojnë se në fakt qëndrimet e tyre kanë qenë edhe më të ashpra, por janë ndarë për procedurën që duhet ndjekur.
4 prej gjyqtarëve, Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska kanë qenë të mendimit që çështja duhet të kthehet në Gjykatën e Lartë, edhe pse binin dakord që masa ishte jo proporcionale.
“Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesit për cenimin e aspektit substancial të lirisë personale, në drejtim të proporcionalitetit të masës së sigurimit personal të lidhur edhe me të drejtën për t`u zgjedhur dhe me dinjitetin janë të bazuara, për sa i përket mungesës së arsyetimit në këtë drejtim nga Gjykata e Lartë, ndaj kërkesa pranohet pjesërisht”, kanë argumentuar 4 prej gjyqtarëve.
Për të bërë shumicën kësaj katërshe iu bashkua edhe gjyqtarja Sonila Bejtja, e cila në një argumentim paralel, edhe më të ashpër, thotë se çështja duhet të shkojë në GJKKO, sepse të gjitha gjykatat kanë dështuar të argumenojnë masën e sigurisë. Sipas saj Veliaj në fakt është arrestuar pa prova të mjaftueshme.
“Kërkuesi është arrestuar në mungesë të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale për të cilat ai akuzohet, pasi gjykatat nuk janë bazuar në prova dhe fakte konkrete”, ka arsyetuar gjyqtarja Sonila Bejtja.
Nga ana tjetër, gjyqtarja Marsida Xhaferllari ka thënë se mbajtja në kafazin e xhamtë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili nuk përbën rrezik, është shkelje dhe cenon dinjitetin e tij.
“Vlerësoj se mbajtja e kërkuesit të izoluar në kabinën e xhamit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, në mungesë të verifikimit të ndonjërës prej rrethanave përjashtimore, të parashikuara nga neni 344, pika 1, i KPP-së, përbën cenim të dinjitetit”, ka thënë gjyqtarja Marsida Xhaferllari.
Po në lidhje me kafazin, edhe gjyqtarja Marjana Semini, ka argumentuar se Veliajt i është cenuar dinjiteti, duke shtuar gjatë kohës që Veliaj ka qëndruar në paraburgim, i është cenuar edhe e drejta e komunikimit me avokatin e tij.
“Duhej të ishte vendosur pranimi pjesërisht i saj dhe konstatimi i cenimit të këtyre të drejtave kushtetuese”, ka argumentuar gjyqtarja Marjana Semini.
I vetmi që ka argumentuar që kërkesa e Veliajt duhet të rrëzohet në tërësi dhe se arresti i tij është i ligjshëm, është gjyqtari Asim Vokshi.





