Hyrja e shtatorit solli edhe thashethemnajën e krijimit të qeverisë Rama 4.
Në media po qarkullojnë shumë emra, duke krijuar idenë se të gjithë ambiciozët kanë gjetur ura komunikimi me gazetarë të cilët i përmendin si alternativa ministrore.
Pavarësisht spekulimeve, e vërteta është se deri tani nuk dihet asgjë konkrete për përpbërjen e qeverisë së re. Ashtu si në të kaluarën, kryeministri Edi Rama e ka mbajtur procesin hermetik, duke mos lënë hapësirë për rrjedhje informacioni.
Tradita e mëparshme ka treguar se surprizat shpesh kanë qenë të tilla, saqë edhe vetë ministrat e emëruar i kanë mësuar postet e tyre vetëm gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila pritet të mblidhet në ditët e ardhshme.
Disa takime të kryeministrit me ministra aktualë apo figura të tjera politike kanë ngritur dyshime për lëvizje të mundshme, por deri më tani nuk ka asnjë konfirmim.
E vetmja gjë e sigurt mbetet tipologjia që Rama ka shpallur: një qeveri gjithëpërfshirëse, me fokus tek integrimi evropian deri në vitin 2030, dhe që, sipas gjasave, do të ketë më shumë figura teknike sesa politike – një kabinet pa “vargonj” të bezdisjes nga drejtësia.
Në këtë klimë pritjeje, spekulimet për emrat e ministrave të rinj mbeten më shumë pasqyrim i dëshirave individuale apo “abuzimeve” mediatike për klikime dhe shikueshmëri, sesa realitet politik. Surprizat, si gjithmonë, pritet t’i zbulojë vetë Rama në momentin kur do të thërrasë Asamblenë e PS-së./ n.l./TemA