Në fund të qershorit shpërtheu një debat publik mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe politikanit britanik Nigel Farage, pas deklaratave të këtij të fundit mbi shqiptarët në Britani.
Gjithçka nisi kur Farage, ish-lider i “Reform UK”, deklaroi se “1 në 50 shqiptarë në Britani është në burg” dhe kërkoi deportime masive. Reagimi i Ramës erdhi menjëherë: ai i hodhi poshtë shifrat si të pavërteta dhe “produkt i retorikës post-Brexit”, duke sqaruar se raporti real është më i ulët se “1 në 100”.
Debati mori formë publike në rrjetet sociale, ku Rama e sfidoi Farage të sillte prova dhe i kujtoi se shqiptarët në Britani janë mbi 300 mijë, pjesa dërrmuese e tyre punëtorë, profesionistë dhe të integruar. Në kundërpërgjigje, Farage e akuzoi Ramën për hipokrizi, duke përmendur marrëveshjen e Tiranës me Romën për emigrantët dhe me ironi shtoi: “Nëse je kaq i mirë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit tanë?”
Në kulmin e debatit, Rama e ftoi Farage në Tiranë si “të ftuar nderi”, duke i thënë se nëse shifra e tij rezulton e saktë, “do t’i marr të gjithë mbrapsht”, por nëse jo, atëherë të vijë të njihet me realitetin shqiptar. Farage e pranoi ftesën, duke njoftuar se së shpejti do të udhëtojë në Shqipëri dhe, me sarkazëm, shtoi se “ndoshta do të rezervojë një avion të madh me një ngarkesë të veçantë”.
Vizita pritet të ndodhë në javët e ardhshme. Rama ka paralajmëruar se takimi nuk do të jetë spektakël, por një ballafaqim me fakte dhe realitet. Një debat që nisi me statistika mbi burgjet britanike është shndërruar tashmë në një përplasje të hapur mbi emigracionin, populizmin dhe raportin mes politikës britanike dhe komunitetit shqiptar në Mbretëri./TemA