Mero Baze
Nuredin Dumani, një vrasës serial, i penduar i drejtësisë, është shtruar në spital pasi nuk është ndjerë mirë pas një vakti me karkaleca. Nuk dimë akoma nëse është helmuar apo i ka rritur tensionin e gjakut dreka e porositur, por kjo mund të jetë objekt hetimesh.
Ajo që bie në sy në këtë histori është dreka e porositur jashtë burgut nga një i penduar i drejtësisë i dënuar me burg të përjetshëm që ka denoncuar gjithë botën e krimit.
Ai është personi më i ekspozuar ndaj një atentati të mundshëm në burgjet shqiptare. Nuk ka rëndësi nëse ato që ka deklaruar janë të vërteta apo gënjeshtra. Ato e kanë kthyer një vorbullë të re hakmarrjeje ndaj tij, qoftë si të vërteta, qoftë si gënjeshtra.
Regjimi i një të burgosuri të tillë duhet të jetë special mes të tjerash dhe për ushqimin. Ndërkohë, një vit më parë ai u bë popullor me videon e tij në një qeli palestër, nga ku kishte mundësi komunikimi me internet dhe videocall.
Pra, tani kemi të verifikuar tre standarde në burgjet tona nën qeverisjen e “Regjimit të Ulsiut”:
Standardi “Veliaj” – Standardi i izolimit të rreptë të një të paraburgosuri që nuk i lejohen as takime, as telefona dhe as vizita pa forca speciale në spital, dhe që nuk i lejojnë kompjuter pa internet ku të lexojë akuzën që ja japin në USB.
Standardi “Dumani” – Një i burgosur për vrasje seriale dhe i penduar i drejtësisë, flet me të dashurat me internet nga burgu, porosit ushqim në restorante kryesisht krudo dhe karkaleca.
Standardi “Salianji” – Një standard më i avancuar që mund të mbjellësh flokë, të rregullosh hundën, mollëzat e mollaqet po deshe.
Tani Ministri i Drejtësisë, nuk po them që këtë Dumanin ta mbajë në një regjim izolimi të rreptë si Veliaj, se gjynah, dhe as ta çojë për të mbjellë flokët dhe për të rregulluar mollëzat e faqeve si Salianji.
Por duhet të bëjë kujdes që kur porosit përditë karkaleca dhe verëra të shtrenjta për një të penduar të drejtësisë, që duan ta vrasin dhjetëra grupe kriminale, dhe nëse ja vrasin pa dashje, do t’i mbetet përgjegjësia si bashkëpunëtor me krimin në eliminimin e një dëshmitari kyç. Dhe hajt të bëjmë llogaritë pastaj sa lek mund të jenë paguar për atë vrasje. Larg qoftë sikur t’i ndodhte dhe para datës 11.