Max Verstappen regjistroi një tjetër sukses në Formula 1, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Italisë në pistën ikonike të Monzës. Piloti holandez i Red Bull konfirmoi formën e tij të mirë, pas një fundjave të dominuar totalisht edhe në kualifikuese, ku e nisi garën nga “pole position”.
Pas disa xhirove të para me duele të shkurtra kundër makinave McLaren, Verstappen rikuperoi shpejt vendin e parë dhe më pas u shkëput me një ritëm të pakapshëm për rivalët, duke e mbyllur me distancë të sigurt.
Drama u zhvendos te McLaren, aty ku Lando Norris dhe Oscar Piastri luftuan fort mes tyre për podiumin. Megjithëse Norris kishte avantazh, një ndalesë e ngadaltë në bokse e detyroi të humbiste kohë ndaj shokut të skuadrës. Megjithatë, me “urdhra nga lart”, Piastri u tërhoq, duke ia dorëzuar vendin e dytë britanikut dhe duke u mjaftuar me të tretin.
LEXO EDHE:
Italia, kampione bote në volejboll pas 23 vitesh
Ferrari nuk shkëlqeu në shtëpi. Charles Leclerc përfundoi i katërti, ndërsa pas tij renditja u mbyll me George Russell, Lewis Hamilton (Ferrari), Alexander Albon, Gabriel Bortoleto, Andrea Kimi Antonelli dhe Isack Hadjar, të cilët plotësuan zonën e pikëve.