Nga Adrian Thano
Një komb që nuk investon sot në shkollë, do paguajë nesër për pasojat. Fjalë të bukura nga libër citatesh?
Jo, llogari e thjeshtë: Nëse nuk merret seriozisht edukimi sot, nesër do duhet të ndërtohen burgje, qendra rehabilitimi, fushata sensibilizimi, struktura mbështetjeje.
Të gjitha më të shtrenjta dhe më të dhimbshme sesa një arsim i mirë.
Sot në ditën e parë të një viti të ri shkollor shikoni ku jemi: vrasje, shpërthime, adoleshentë me thikë në çantë, rini përtace që ngatërron suksesin me shkëlqimin e rremë, dhunë në familje, arrogancë në rrugë.
Dhe një kurvëri e re – jo vetëm ajo e hershmja në trup, por në mendje, në ideale, në shpirt.
E kemi lënë shkollën pas, në listën e prioriteteve. Rrugët, stadiumet, fasadat, resortet që duket sikur janë për vende pa halle, ndoshta janë të nevojshme. Por a ia vlejnë kur mungon edukimi bazë?
I panxëni nesër do t’i prishë rrugët apo stadiumet, rrufjanë do pjellin resortet.
Vetë Kryeministri, që ka një pasion për dukjen e bukur dhe rrokaqiejt, duket se e vuan i pari këtë realitet. Nervozizmi i tij me ata që dëmtojnë apo ndotin stadiumet bizhu dhe plazhet ku po tentojmë klasin e lartë është dëshmia se vizioni i tij për luksin dhe madhështinë, pa një bazë edukimi dhe respekti, është i gabuar dhe i pafrytshëm.
Nuk mjafton të ndërtojmë beton e xham, nëse nuk ndërtojmë edhe njerëz të qytetëruar, që dinë ta vlerësojnë dhe ruajnë atë që kanë. Në fund të ditës, të dekadës, të shekullit, cilësia e një kombi nuk do matet me lartësinë e kullave apo me kilometrat e asfaltuar
Më mirë të kemi më pak stadiume dhe më shumë biblioteka; më pak resorte dhe më shumë laboratorë; më pak drita e shirita për lajmet TV, më shumë dinjitet për mësuesin.
Mësuesi është misionar. A mund të kërkosh misionarë në një sistem që shpërblen fort improvizimin dhe mediokritetin?
Prindërit e sotëm kanë nostalgji për mësuesin e dikurshëm. Rikthimi i seriozitetit të “mësuesit të kohës së Enverit” (jo në ideologji, por në përkushtim dhe autoritet moral) kërkon që mësuesi të mos jetë viktimë e sistemit, por themeli i tij.
Është një ironi e madhe e historisë që shumica e elitës politike, institucionale dhe kulturore që sot mallkon komunizmin, është pikërisht produkt i sistemit arsimor të atij regjimi.
Bij e bija të ish-elitës komuniste, të shkolluar me rreptësi, me disiplinë e me themel, janë sot në krye të institucioneve, partive, bizneseve e universiteteve. Jo pse ishin të privilegjuar, por sepse arsimi ishte serioz dhe i barabartë në mënyrë brutale për të gjithë. Ai sistem mund të ketë rënë, por trashëgimia e tij arsimore i ka mbajtur këta njerëz në majë.
Ndërsa sot, kur arsimi është kthyer në biznes, diploma në mall, dhe shkolla në fasadë, brezat e rinj rrezikojnë të mos kenë më as meritë, as barazi, as mundësi. Dhe kështu, rrota e padrejtësisë vazhdon të rrotullohet.
Edukimi është urgjencë kombëtare.