Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shfaq i lumtur dhe krenar për paraqitjen e lojtarëve pas triumfit 1:0 ndaj Letonisë në “Arenën Kombëtare”. Braziliani e cilësoi fitoren si shumë të vlefshme, duke nënvizuar se përballë kishte një kundërshtar të fortë.
“Letonia është një rival i fortë. Në ndeshje të tilla, nëse nuk shënon golin e dytë për ta mbyllur, rrezikon shumë. E pamë që ata krijuan dy-tre raste të rrezikshme,” tha Sylvinho pas ndeshjes.
Ai foli edhe për zgjedhjet taktike dhe menaxhimin e lojës:
“Kumbulla ndoshta duhej të futej më herët. Ndryshimet me Bajramin ishin të qëlluara, ndërsa për Gjimshitin dhe Ajetin meritat i shkojnë edhe kundërshtarit. Për Brojën hezituam ta zëvendësonim herët, pasi Letonia do të afrohej më shumë me zonën tonë. Në pjesën e dytë ai gjeti hapësira dhe zhvilloi disa kundërsulme të rrezikshme. Broja nuk është një nëntëshe tipike, por di të shfrytëzojë hapësirat dhe depërtimet.”
Duke parë përpara, tekniku kuqezi tha se ekipi tashmë do të fokusohet te sfida e tetorit kundër Serbisë:
“Jam krenar për lojtarët e mi. Kemi punuar dhjetë ditë për këto dy takime. Kemi parë edhe ndeshjen e Serbisë me Letoninë. Pas dy-tre ditësh do të nisë puna për atë sfidë, pasi të analizojmë këtë që sapo lamë pas.”
Në fund, Sylvinho vlerësoi disa prej futbollistëve për kontributin e tyre:
“Asllani po bën një rrugëtim të shkëlqyer me Kombëtaren. Jam shumë i kënaqur edhe me Nedim Bajramin. Ai dhe Asani po punojnë me shumë përkushtim,” përfundoi trajneri i Shqipërisë.