Edi Paloka, në një intervistë për Syri tv, ka thënë se ai ka qenë dhe është pro aksioneve radikale, për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.
“Qëndrimet e mia kanë qenë publike gjithnjë, edhe para zgjedhjeve, edhe pas zgjedhjeve. Besoj hyj tek njerëzit që janë për qëndrime radikale.
Por, pikërisht për këtë çështje që ju po thoni, është…e shpjegoi zoti Berisha me detaje sot dhe është një shpjegim i drejtë.
Thashë që unë kam qenë nga njerëzit që ka këmbëngulur për dorëzimin dhe djegien e mandateve dikur. Gjë e cila pastaj u kritikua, u sulmua ashpërsisht, madje na thanë ‘ju i shitët mandatet tek Edi Rama’.
Dhe për fat të keq, po këta njerëz sot thonë ‘ju duhet të digjni mandatet’, me gjithë eksperiencën negative që patëm në rastin e parë.
Thashë që isha nga luftëtarët e parë, madje edhe për të mos hyrë në zgjedhjet lokale, sigurisht nuk isha që ditën e zgjedhjeve ne të merrnim darjet dhe të fillonim t’i këndonim Edi Ramës.
Një tjetër vendim kishim atë kohë. Një vendim që disa degë e zbatuan, por çuditërisht me porosi të kryetarit të atëhershëm, shumica e degëve anuloi vendimin që ne kishim marrë.
Ua kujtova këtë për të thënë që kam qenë për vendime radikale dhe jam gjithmonë për qëndrime radikale në një diktaturë siç jemi sot, sepse ne jemi në diktaturë. Këtë e kam thënë para zgjedhjeve, vite me radhë.
Me Ramën nuk ka zgjedhje. E kam thënë dhe stërthënë dhe jo vetëm unë, dhe duke thënë gjithë këto dalim edhe tek përgjigjja që thashë unë.
Pra, të njëjtët njerëz që dje na akuzonin që shitëm mandatet tek Rama dhe lamë korporatat në parlament, sot për fat të keq na akuzojnë”, tha ai.