Mero Baze
Avokati Besart Logu është arrestuar nën akuzën e ndikimit të paligjshëm, pasi dyshohet se ka marrë tetë mijë euro nga një klient, me premtimin se do të ndikonte te prokurori dhe gjyqtari i çështjes.
Vendimi ka shkaktuar me të drejtë polemika, pasi “ndikimi i paligjshëm” duhet të provohet kur i akuzuari të ketë kontaktuar realisht prokurorin apo gjyqtarin e çështjes. Arrestimi i tij pa konsumuar veprën e ndikimit e kthen masën e arrestit në një masë ndëshkuese për “dëshirën” e tij për të korruptuar, duke e shndërruar nenin 245/1/4 për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në një nen të “policisë së mendimeve” — gjë që i shkon shumë personazhit të “Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave” të Kadaresë.
Por, përtej këtij absurdi ligjor, duhet parë nëse pas këtij vendimi qesharak fshihet ndonjë hakmarrje ndaj avokatit në fjalë, apo një përpjekje e prokurorëve të SPAK për të mbrojtur kolegët e tyre nga arrestimi nëse do të kontaktoheshin nga avokati.
Besart Logu është person me profil politik, një nga drejtuesit e lartë të Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike, i angazhuar fort politikisht kundër SPAK për shkak të linjës politike të PD-së dhe Berishës. Nëse kjo e ka bërë objekt hakmarrjeje nga prokurorët, atëherë jemi përballë një situate shumë më të rëndë sesa thjesht paaftësia profesionale që demonstron vendimi për arrest.
Pista tjetër është ajo e solidaritetit të prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO me kolegët e tyre që mund të ishin kontaktuar nga avokati. Por edhe kjo përbën dështim të hetimit. Nëse prokurorët kanë prova që avokati do t’i kontaktonte, duhet ta linin të konsumonte veprën penale, për të pasur prova të plota. Nëse e kanë ndaluar qëllimisht për të “shpëtuar” kolegët e tyre, praktikisht kanë prishur hetimet — gjë që është një formë korrupsioni më e rëndë sesa ajo për të cilën akuzohet avokati.
Në çdo rast, ky është një rast tipik ku ka më shumë arsye për të dyshuar tek ata që kanë lëshuar urdhrin e arrestit sesa tek i dyshuari për korrupsion.
Ndaj, duhet sqaruar nëse këtu kemi të bëjmë me prokurorë të paaftë, prokurorë hakmarrës, apo prokurorë që bëjnë mbrojtje kolegësh të korruptuar.
Unë do të lutesha që të ishin thjesht prokurorë të paaftë. Kjo do të ishte më pak e rrezikshme se një urdhër-arrest i motivuar nga hakmarrja për qëndrimet e tij politike në emër të Partisë Demokratike (qëndrime me të cilat unë kam mospajtime të mëdha) — apo, më keq akoma, përpjekje për të shpëtuar nga përgjegjësia prokurorë dhe gjyqtarë të cilët ky avokat do të kishte kontaktuar.