Pacientët me diabet të cilët janë prekur nga retinopatia diabetike dhe edema makulare dhe që rrezikojnë të humbin shikimin, tani do të përfitojnë injeksionin që i mbron nga verbimi aq sa e kërkon protokolli mjekësor, dhe jo më vetëm për një vit, ndërkohë që sëmundja avanconte.
Ky injeksion ofrohet falas në shërbimin e okulistikës në QSUT, aq sa ka nevojë pacienti.
“Është e pesta gjilpërë që po bëj për të luftuar infeksionin në retinën e syrit”, shprehet një qytetare nga Korça.
Ka qenë një letër drejtuar kryeministrit dhe ministres së Shëndetësisë nga Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet, si dhe Shoqata e të Verbërve, që kanë kërkuar vazhdimin e trajtimit.
“Ne kërkojmë përfshirjen e gjilpërës intravitreale në listën e rimbursimit pa kufizime kohore për të gjithë pacientët që rrezikojnë të humbasin shikimin. Ky trajtim nuk është luks, por një domosdoshmëri për të shmangur verbimin e parandalueshëm”, thuhet në letër.
Mjekët okulistë në QSUT e konsiderojnë arritje këtë vendim për zgjatjen e kohës së rimbursimit dhe mosndërprerjen e trajtimit për pacientët.
“Është një injeksion që i zgjat pamjen e syrit pacientëve diabetikë. Më përpara kishin rimbursim vetëm për një vit. Pas një viti, nëse kishin nevojë, pacientët nuk mund ta merrnin dot, sepse janë trajtime të shtrenjta. Tani u zgjidh, pacientët mund ta vazhdojnë trajtimin edhe për një vit apo dy vite të tjera, sipas nevojës së secilit pacient”, shprehet Ermal Simaku, mjek okulist në QSUT.