Vrasja e Charlie Kirk ka tronditur thellë botën konservatore amerikane, duke e shndërruar atë në një figurë martire për mbështetësit e tij. Presidenti Donald Trump madje deklaroi se Kirk mund të kishte qenë një ditë president i Shteteve të Bashkuara, shkruan A2. Aktivisti 31-vjeçar la pas dy fëmijë të vegjël, bashkëshorten e tij të pikëlluar, Erikën, 36 vjeçe, si edhe një bazë të gjerë mbështetësish, të cilët e ndoqën ndër vite përmes debateve mbi lirinë e fjalës në kampuset universitare dhe fushatës së tij të fuqishme në rrjete sociale.
Kirk themeloi organizatën Turning Point USA (TPUSA) në moshën 18-vjeçare, së bashku me mentorin e tij Bill Montgomery, i cili ndërroi jetë nga Covid-19 në vitin 2020. Ai e ngriti TPUSA-n në një prej lëvizjeve më të fuqishme politike të vendit, duke nxitur një valë të re votuesish të rinj në mbështetje të Trump gjatë zgjedhjeve të vitit 2024.
Sipas të dhënave financiare publike, TPUSA raportoi të ardhura prej 85 milionë dollarësh në vitin 2024 dhe afro 18 milionë dollarë asete neto. Vetë Kirk merrte një pagë vjetore prej 285 mijë dollarësh nga organizata, pa përfshirë tarifat e ligjëratave private dhe fitimet nga librat e tij. Në fillimet e TPUSA, paga e tij ishte vetëm 27 mijë dollarë.
Pas vrasjes në një aktivitet kampusin e një universiteti në Utah, katër nga librat e Kirk u ngjitën menjëherë në listat e librave më të shitur të New York Times dhe Amazon. Pavarësisht humbjes së figurës qendrore, bashkëshortja e tij dhe drejtues republikanë kanë premtuar të vazhdojnë trashëgiminë e tij politike.
Trupi i Kirk u transportua të enjten drejt shtëpisë së tij në Arizona me avionin zyrtar Air Force Two, pasi zv.presidenti JD Vance shkoi në Utah për të mbështetur Erikën dhe familjen. Ajo ka rrëfyer me dhimbje se ende nuk gjen forcë t’u tregojë fëmijëve të vegjël se “babai nuk do të kthehet më”. Erika, prezantuese e podcast-it Midweek Rise Up dhe ish-Miss Arizona, pritet të kthehet në rezidencën familjare në Scottsdale, e vlerësuar në 5,6 milionë dollarë, për t’u përkujdesur për fëmijët. Trump deklaroi se ka folur me të menjëherë pas ngjarjes dhe se ajo po mbështetet në besimin në Zot në këtë periudhë të vështirë.
Në një intervistë televizive të premten, Trump tha se e veja e Kirk synon të mbajë gjallë misionin e tij përmes TPUSA. Ai shtoi se edhe djali i tij, Barron Trump, një nga miliona fansat e Kirk, ishte thellësisht i prekur nga lajmi tragjik.
Ndryshe nga organizatat tradicionale politike, TPUSA ndërtoi një rrjet të gjerë, duke hapur mbi 3000 degë në kampuse universitare në të gjitha 50 shtetet e Amerikës dhe më pas edhe në vende të tjera. Tubimet madhështore, shpesh të transmetuara drejtpërdrejt, e vendosnin Kirk në qendër të skenës, duke frymëzuar të rinj nga çdo sfond politik.
Influenca e tij depërtoi edhe në rrethin më të afërt të Trump, ku figura si Donald Trump Jr., Kimberly Guilfoyle, Eric dhe Lara Trump morën pjesë rregullisht në aktivitetet e TPUSA. Në fushatën presidenciale të fundit, Kirk luajti rol kyç në strategjinë digjitale të familjes Trump, duke ndihmuar në atë që u quajt “rikthimi më i madh politik në histori”.
Pas ngjarjes, homazhe u mbajtën në SHBA dhe jashtë saj, nga Afrika e Jugut, në Londër e Australi. Qindra mbështetës u panë duke lënë lule dhe duke qarë në kujtim të aktivistit, duke forcuar imazhin e tij si një figurë e dashur e lëvizjes konservatore. Trashëgimia e Charlie Kirk, si frymëzim për shumë të rinj republikanë, pritet të zgjerohet edhe më tej pas vdekjes së tij.