Shqipëria bën sot një tjetër hap të rëndësishëm drejt rrugës së anëtarësimit në BE. Sot, në orën 08:00, në Bruksel do të nisë Konferenca e 6-të ndërqeveritare me Unionin evropian për grupkapitullin Grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, ku pritet të hapen 4 kapituj të tjerë: Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, Mjedisi si dhe ndryshimet klimatike.
Takimi do të bashkëdrejtohet nga Marie Bjerre, ministrja për Çështjet Evropiane e Danimarkës, vend që mban aktualisht presidencën e BE-së, dhe kryeministri Edi Rama, i cili udhëtoi drejt Brukselit një ditë më parë. Më pas në orën 09:15, kryeministri do të mbajë një konferencë për shtyp me ministren daneze dhe me komisioneren e BE-së për zgjerim, Marta Kos.
Këta katër kapituj i shtohen 24 të tjerëve të hapur brenda më pak se një viti, ritëm që kryeministri Rama e ka cilësuar si “rekord absolut” në historinë e negociatave. Deri tani, Shqipëria ka çelur 4 nga 6 grupkapituj kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse.
Konferenca e ardhshme ndërqeveritare, e planifikuar më 2 tetor, do të përqendrohet tek grupkapitulli i fundit “Bujqësia dhe Kohezioni”.
BE është shprehur optimist se Shqipëria mund të realizojë integrimin e plotë deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin në union prioritet të mandatit të tij të katërt qeverisës.
AGJENDA:
08.00 – Konferenca Ndërqeveritare 6. Hapja e Bisedimeve për anëtarësim në BE mbi Grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”
09.15 – Konferencë e përbashkët shtypi Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë; Znj. Marie Bjerre, Ministre e Cështjeve Evropiane, Mbretëria e Danimarkës; Znj. Marta Kos, Komisionere Evropiane për Zgjerimin