Kryeministri Edi Rama, gjatë një fjalimi të mbajtur në Kolegjin e Evropës në Bruzh, thumboi politikanin britanik Nigel Farage.
Duke folur për BE-në dhe Shqipërinë, Rama përfshiu shkurtimisht në fjalën e tij edhe Britaninë e Madhe që u largua nga unioni.
“Po përhapin fjalën se vendi ynë është një vend i zymtë, pa diell, kriminal, ku shansi më i mirë është të të vjedhin dhe më i keqi është të të përdhunojnë. Shqipëria nuk është asgjë nga këto.
Ata që vijnë nga mbarë Europa e kuptojnë realisht se Shqipëria është vendi me vjedhjen më të ulët të shtëpive në Europë. Anglia thotë po, sepse shqiptarët kanë ardhur tek ne. Kështu bën kur largohesh nga BE, flet shumë gjepura.
Merr pak kamomil para se ta dëgjosh, që mos të zërë depresioni. Nëse nuk jeni një prej atyre që keni ardhur, atëherë ejani. Është një vend që ia vlen ta vizitosh”, tha Rama, qartazi duke dërguar një mesazh për Farage.
Ky i fundit, që prej muajve të verës, u përfshi në debat me Edi Ramën kur tha se 1 në 50 shqiptarë në Britani është i burgosur, deklaratë kjo që u kundërshtua me forcë nga kryeministri shqiptar.