Lajmi se Diella do të ketë fëmijë e futi në mendime Mulin.
Thirri Lelon t’ia shpjegonte se si mund të lindë fëmijë Diella.
– Lind patjetër, – i tha Lelo. – Nuk lind si ne, dmth përmes seksit. E ka me fekondim artificial.
– Si bëhet kjo? – tha Muli.
– Po ja, se ti je dhe Doktor vetë… Njësoj siç merren vezët e një gruaje dhe sperma e një burri, në këtë rast merret truri i Diellës dhe fekondohet me trurin e ministrit të caktuar.
Për shembull, tek Ministria e Drejtësisë Diella do lindë djalë. Merret truri i Diellës dhe truri i Ulziut, dhe lind fëmija i drejtësisë. Mund t’ia vënë emrin Jupiteri.
Ministri i ri i Drejtësisë, pas kësaj, do thërrasë Jupiterin për konsultime dhe i thotë:
– Cilat janë amanetet që na ka lënë Baba Ulziu?
Jupiteri i thotë:
– Amanet Kodin e Ri Penal dhe nenet që kam përgatitur. Amanet drejtorin e burgjeve, mos e hiq nga puna se nuk kemi mbaruar punët që kemi nisur. Amanet Lali Erin në burg, ta ruash mirë 24 orë se i rrezikohet jeta po i shkoi ndonjë familjar në takim.
E kështu me radhë i lë amanetet e veta Jupiteri, që janë amanete të prodhuara nga kryqëzimi i trurit të Diellës me atë të Ulziut.
Kështu vazhdohet me çdo ministri.
– E kuptova, – tha Muli. – Po fëmijë në opozitë mund të lindë kjo?
– Besoj që po, por duhet ta kryqëzojmë me trurin e çdo posti që kemi në PD.
Për shembull, për nr. 2 duhet ta kryqëzojmë Diellën me trurin tënd, për vendin e Gaz Bardhit me trurin e tij, e kështu me radhë.
– Po a ka mundësi kjo? – tha Muli.
– Po si s’ka! – tha Lelo. – Nuk i ke dëgjuar vlonjatat që thonë “Të qi… mendjen”? Ja për këtë ditë e kanë pasur.