Dhe engjëjt qajnë, i shenjtë. Dhe krijimi qan, i shenjtë. Ti ngrihesh lart, i shenjtë. I shenjtë përgjithmonë”. Me duart e ngritura drejt qiellit, 70 mijë persona këndojnë Holy Forever në Stadiumin State Farm në Glendale, periferi e Phoenix në Arizona. Për tre orë, duke filluar nga ora 8 e mëngjesit, këngëtarët më të famshëm të krishterë pop në Amerikë luajnë me radhë — nga Chris Tomlin te Phil Wickham — ndërsa stadiumi mbushet me njerëz që kishin pritur në radhë për shumë orë, disa që nga mbrëmja e kaluar. Miqtë e Charlie Kirk, ata me të cilët ai themeloi në moshën 18-vjeçare organizatën Turning Point USA, dhe e veja e tij nuk duan që ky të jetë thjesht varrimi i aktivistit më me ndikim mes të rinjve konservatorë amerikanë: ata duan që të jetë një ringjallje e besimit.
Ceremonia e blinduar
Gazetarët u grumbulluan përpara një kishe aty pranë në orën 5:45 të mëngjesit dhe u futën brenda stadiumit pas një ore kontrollesh të imta çantash e shpinore, krejtësisht të ndaluara për publikun e gjerë. Nga Uashingtoni, dy avionë transportuan në Arizona presidentin dhe figurat më të rëndësishme të qeverisë. Në turmë shihen edhe kapele të kuqe Make America Great Again, por janë të shumta kapelet me mbishkrimin CK (inicialet e Charlie Kirk) dhe kudo është i pranishëm logoja e Turning Point.
Në karriget pranë skenës janë vendosur shami për të fshirë lotët. Erika Kirk, e veja e aktivistit 31-vjeçar që del në skenë me sy të përlotur dhe që tani do të udhëheqë organizatën, është fotografuar me të dhe fëmijët e tyre në postera të shpërndarë në të gjithë arenën.
LEXO EDHE:
VIDEO/ Shënon gol në limite, Myrto Uzuni i jep tri pikë Austin FC
Miqtë thonë se Charlie kishte menduar edhe më herët për një rol të bashkëshortes në organizatë, e cila tashmë është e pranishme në 3.500 kolegje dhe shkolla të mesme dhe tani ka marrë kërkesa nga 62.000 institucione të reja. Një duartrokitje e madhe e pret Trump kur shfaqet pak pas mesditës në një nga tribunat. “Le të festojmë jetën e një njeriu të madh. Do të jetë një ditë e vështirë”, tha presidenti para se të nisej për në Arizona. “Zoti e shpëtoi presidentin Trump nga ai plumb, për këtë moment”, kishte thënë pak më parë Benny Johnson. Një duartrokitje gjigante mirëpret JD Vance, “zëvendëspresidentin e ri” që i ka dhënë Kirk meritën për ngritjen e tij politike dhe fitoren e administratës Trump. “Charlie e donte debatin sepse donte ta sillte të vërtetën në vendet e errëta”, thotë Vance. “E vërteta është se martesa dhe familja janë më të rëndësishme se arsimi apo karriera… E vërteta është se Jezu Krishti është mbreti i mbretërve”.
Midis besimit dhe politikës
Në zemër të ngjarjes është besimi i krishterë i Kirkut: ai vetë tha – siç kujton Don Trump Jr. – “Dua të më kujtojnë për besimin tim”. Fjalimet nga influencues dhe podkasterë si Johnson, Jack Posobiec dhe Tucker Carlson, figura të njohura në programet e transmetimit, janë plot me referenca biblike, ashtu si edhe anëtarë të qeverisë, nga Vance te Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard dhe Pete Hegseth, shefi i Pentagonit i cili shpjegon se Charlie e mësoi t’i kushtonte vëmendje “luftës shpirtërore”. Besimi është gjithashtu politik. “Mesazhi i tij është i qartë”, thotë Don Trump Jr., djali i presidentit. “Ne nuk do të tërhiqemi. Nëse besoni në Zot, familje dhe liri, jeni me ne… pavarësisht se si keni votuar. Nëse e refuzoni propagandën e lajmeve të rreme, jeni të mirëpritur.” Dhe kur Don Jr. pyet: “A do të dorëzoheni?”, turma ulërin me të madhe: “Jo”. “Ne do të sfidojmë atë që pranohet nga kultura e kësaj shoqërie, për të kërkuar atë që pranohet nga Zoti”, thotë Michael McCoy, asistenti i ri i Kirkut, i cili në moshën 18 vjeç hoqi dorë nga kolegji për të punuar me të (ai madje iu desh ta telefononte të venë e tij dhe t’i thoshte: “Charlie është qëlluar”). “Liria e vërtetë është të ndjekësh Krishtin duke bërë atë që është e drejtë: të martohesh, të kesh më shumë fëmijë sesa mund të përballosh”, vazhdon McCoy – fjalë të cilat më vonë u përsëritën nga Marco Rubio, Sekretari i Shtetit, ndër të tjerë.
“Jemi mbledhur për të vajtuar Charlin, por edhe për t’iu përkushtuar përfundimit të misionit të tij dhe për të arritur fitoren në emrin e tij — deklaron Stephen Miller, strateg i politikës së brendshme të Trump dhe zëvendësshef i stafit të Shtëpisë së Bardhë. Ditën kur vdiq, engjëjt qanë, por ato lotë u shndërruan në zjarr në zemrat tona, një zjarr që armiku ynë nuk e kupton”. Miller vendos në skenë një luftë të së Mirës kundër së Keqes: “Erika është stuhia, ne jemi stuhia dhe armiqtë tanë nuk e kuptojnë forcën tonë, vendosmërinë dhe pasionin… Mendoni se vratë Charlie Kirk? E bëtë të pavdekshëm… Do të mposhtim forcat e errësirës dhe të së keqes”. Edhe Vance paralajmëron se nuk mund të ndiqet një i ashtuquajtur “moment kumbaya” sepse “E Keqja ecën ende mes nesh”.
Fjalimi i Trump, në mbyllje, është i ngjashëm me atë të mitingjeve të tij dhe disa fillojnë të largohen. Ai thotë se sot në Zyrën Ovale do të bëjë “një nga njoftimet më të mëdha në historinë e vendit tonë: kemi gjetur një përgjigje për autizmin”. Ai e ka quajtur vrasësin e Kirk “një përbindësh të ftohtë e të radikalizuar”. Ka folur për tarifat doganore, për Gardën Kombëtare në Uashington që do ta dërgojë në Çikago “siç kërkonte Kirk”, për rivalët politikë: «”Për këtë nuk jam dakord me Charlien: unë i urrej kundërshtarët e mi”.
Ndjekësit e rinj
Kirk ka ditur t’i flasë një pjese të Gjeneratës Z që ndjehet “e uritur për besim”, thotë Gianna Lorenzi, 23 vjeç, konsulente sigurimesh në Dallas, që mban një kapelë identike me shoqen Bella DiMatteo, publicitare në New York: nuk shkruhet “Make America Great Again” por “It’s cool to love America” (është e këndshme të duash Amerikën). Lorenzi thotë se e ndiqte Kirk në rrjete sociale, si për mesazhin e tij të besimit, ashtu edhe për idetë politike: “Më inkurajoi të thosha të vërtetën në çdo situatë dhe më tregoi se ç’do të thotë të jetosh vlerat e familjes dhe vlerat biblike, mendoj se kjo është diçka që brezi ynë po e kërkon vërtet”. Sam Carber, një 20-vjeçare që kishte ardhur me vëllain 15-vjeçar, shton: “Vlerat në të cilat besojmë nuk janë zhdukur kurrë, por ai i solli në platforma si TikTok”. Susie Wiles, ish-menaxherja e fushatës elektorale të Trump që tani është shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, është shumë hezituese për të folur publikisht: refuzoi ta bënte edhe natën e fitores së Trump. Por sot flet për Kirk, duke kujtuar se fitorja e Trump u shty përpara në shtetet vendimtare nga të rinjtë që zgjodhën presidentin aktual dhe jo rivalët e tij demokratë: “Meritë e Charlit”. Wiles sheh nga e ardhmja: “Duhet të sigurohemi që brezi i ardhshëm ta dijë se ky lëvizje është shtëpia e tij”./Corriere della sera
“Misioni i Charlie-t është misioni im. Jam e nderuar që jam CEO i ri i Turning Point USA. Ne do të vazhdojmë ngjarjet në kolegje. Asnjë vrasës nuk do të na ndalojë të mbrojmë Amendamentin e Parë. Do t’ju bëj krenarë”, tha ajo.
Më tej, ajo surprizoi kur tha se do e falë vrasësin e babait të fëmijëve të saj.
“Burri im, Çarli, donte të shpëtonte të rinj, si ai që i mori jetën. E fal atë të ri. Përgjigja ndaj urrejtjes nuk është më urrejtje”, shtoi më tej.
Në fund të ceremonisë Donald Trump dhe Erika Kirk u përqafuan në skenë në fund të ceremonisë në stadiumin State Farm. E veja e Kirk nuk mund t’i mbajë lotët dhe mbështetet te presidenti.