Mallorca dhe Atletico Madrid ndanë pikët pas një barazimi 1-1 në ndeshjen e javës së pestë të La Ligas, takim i zhvilluar në ishull dhe i mbushur me emocione.
Atletico humbi shansin ideal për të kaluar në avantazh në pjesën e parë, kur Julian Alvarez dështoi nga pika e bardhë e 11 metërshit. Nga minuta e 73-të, madrilenët mbetën me një lojtar më pak, por gjithsesi gjetën golin në minutën e 79-të me Conor Gallagher.
Mallorca reagoi menjëherë në minutën e 85-të me Vedat Muriqin, teksa sulmuesi kërceu më lart se të gjithë në zonë, duke shënuar me një goditje të fuqishme me kokë përballë Jan Oblak. Ky ishte goli i katërt sezonal për sulmuesin e Kosovës, i cili ka realizuar tashmë kundër Real Madridit dhe dy herë ndaj Espanyolit. Aktualisht, vetëm Kylian Mbappe ka më shumë gola në kampionat (pesë).
Muriqi e zhvilloi të gjithë ndeshjen si titullar, duke u vlerësuar me notën 7.4 nga ‘SofaScore’. Megjithëse “Pirati” shkëlqeu, Mallorca mbetet pa fitore këtë sezon. Pas pesë javësh, skuadra ka grumbulluar vetëm dy pikë dhe ndodhet në vendin e parafundit në tabelë.