Një denoncim i publikuar nga media një ditë më parë ka vënë në qendër të vëmendjes deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, bashkëjetuesin e saj Arian Tartari, si dhe motrën e saj, Mimoza Vokshi. Sipas pretendimeve të ngritura nga denoncuesi “Nesti Angoni”, të tre këta emra akuzohen për përfshirje në afera korruptive dhe pastrim parash.
Në denoncimin e bërë publik, pretendohet se paratë e përfituara nga veprimtaritë e dyshuara korruptive janë kanalizuar dhe “pastruar” përmes lidhjeve familjare dhe ekonomike. Më tej, sipas kallëzimit, akuzat lidhen edhe me abuzime në dhënien e koncesioneve në sektorin e naftës, si dhe me disa privatizime të kryera në interes të personave të kallëzuar, në periudhën kur Mimoza Vokshi, motra e deputetes, mbante detyrën e Drejtoreshës së Privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë.
Publikimi i denoncimit ka ngjallur diskutime dhe rrit presionin mbi institucionet e drejtësisë për të hetuar rastin.
SPAK ende nuk ka dhënë një reagim publik, ndërsa në ditët në vijim pritet të shihet se çfarë do të ndodhë.
Emri i Albana Vokshit dhe i familjarëve të saj nuk është hera e parë që përmenden për këtë aferë korruptive, mirëpo pas këtij denoncimi konkret vihet në pikëpyetje puna e Prokurorisë së Posaçme e cila pas denoncimit të ‘Nesti Angonit’ duhet të hapë një çështje konkrete dhe t’i shkojë deri në fund.