Dy javë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se Shqipëria do të përdorë dronë të prodhimit vendas për sigurinë e Samitit të NATO-s në vitin 2027, Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar pozicionin e saj për rolin e industrisë ushtarake shqiptare dhe për përfshirjen e mundshme të gjigantit izraelit Elbit Systems Ltd. në projekt.
Në një përgjigje zyrtare për Albanian Post, Ministria theksoi se aktualisht vendi ndodhet në një fazë studimi për përftimin e kapaciteteve mbrojtëse ajrore, dhe çdo bashkëpunim konkret do të përcaktohet në përputhje me ligjin.
“Forcat e Armatosura Shqiptare po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse ajrore. Aktualisht Ministria e Mbrojtjes është në fazën e studimit sesi do të procedohet për përftimin e kapaciteteve të sipërpërmendura”, thuhet në reagimin zyrtar.
Sa i përket përfshirjes së Elbit Systems Ltd, Ministria kujton se është shoqëria shtetërore KAYO sh.a. ajo që mban licencën për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.
“Shoqëria KAYO ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie me palët e treta, subjekte shtetërore ose private, vendase apo të huaja, në të gjitha fazat e zhvillimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me kriteret dhe procedurat e caktuara me ligj”.
Kompania izraelite Elbit Systems, një nga emrat më të mëdhenj në industrinë globale të mbrojtjes, nuk ka kthyer një përgjigje ndaj një kërkese për koment nga Albanian Post mbi përfshirjen e saj në projektin shqiptar të prodhimit të dronëve.
Deklarata që ndezi interesin për këtë nismë u bë nga kryeministri Edi Rama në fillim të muajit shtator, ku ai për herë të parë publikisht konfirmoi ambicien e qeverisë për të zhvilluar industri ushtarake shqiptare që prodhon pajisje për përdorim të brendshëm dhe eksport.
“Ne do të prodhojmë makinat tona ushtarake dhe do t’i shesim ato në botë. Shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, do të jetë bashkëpronare e gjithë kësaj industrie dhe do të përfitojë financiarisht”, tha Rama.
Pak ditë pas kësaj deklarate, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë miratoi një marrëveshje kuadër me Izraelin, duke i hapur rrugën bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Marrëveshja u inicua nga Ministria e Mbrojtjes dhe parashikon shkëmbime teknologjike, projekte të përbashkëta dhe bashkëpunim operacional në industrinë e mbrojtjes.
Qeveria shqiptare është në bisedime me gjashtë kompani të huaja për të prodhuar pajisje ushtarake, zbuloi në muajin qershor ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Negociatat po përqendrohen mbi investimet në linjat e prodhimit për artileri të rëndë, armatim të lehtë, municion, automjete të blinduara dhe uniforma ushtarake, shtoi Vengu gjatë një interviste për mediat shqiptare.
Qeveria mori shprehje interesi nga 25 investitorë të huaj, përfshirë kompani me seli në SHBA dhe Izrael, vuri në dukje zyrtari i lartë shqiptar.
Partneritetet do të formohen nëpërmjet prodhuesit shtetëror të pajisjeve ushtarake Kayo, të themeluar së fundmi.
Njëra prej tyre është kompania izraelite Elbit Systems Ltd., e cila në prill të këtij viti nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me autoritetet shqiptare.
Sic mëson Albanian Post, Elbit Systems do të angazhohet për montimin e dronëve në vendin tonë, si dhe për prodhimin e armatimit të lehtë dhe artilerisë së rëndë në ish-Uzinën e Bakrit në Rubik, e cila do të shndërrohet në një prej qendrave kryesore të prodhimeve ushtarake për Forcat e Armatosura.
Elbit Systems është ndër kompanitë më të renditura të mbrojtjes në botë, me Globes – Israel Business News që raporton se është kompania izraelite e mbrojtjes me renditjen më të lartë në listën e Defense News për vitin 2024.
Në pritje të konkretizimit të projekteve dhe transparencës institucionale, mbetet për t’u parë nëse dronët “Made in Albania” do të mbajnë vulën e teknologjisë izraelite, apo të një bashkëpunimi më të gjerë ndërkombëtar.