Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me videon e sherrit masiv të ndodhur në aeroportin e Rinasit, duke thënë se konflikti ka ndodhur më 6 shtator rreth orës 02:30 të mëngjesit.
Sipas Policisë së Shtetit, familja me rreth 18 anëtarë do të udhëtonin për pushime drejt Antalias në Turqi me çarter.
Sherri ndodhi për radhën në check-in, sipas policisë, për shkak se familjarët kishin edhe fëmijë të vegjël.
Pas ngjarjes, kryefamiljari dhe anëtarët e tjerë u kërkuan falje punonjësve të policisë për ngjarjen. Edhe këta të fundit, nuk kanë dashur të bënin kallëzim dhe për këtë arsye çështja u mbyll.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Në lidhje me një video të publikuar për një konflikt të ndodhur në ambientet e aeroportit të Rinasit, gjatë imbarkimit, sqarojmë se:
Më datën 06.09.2025, rreth orës 02.30, gjatë imbarkimit të pasagjerëve që udhëtonin me çarter në Antalia, disa prej tyre kanë debatuar me punonjësit e check in për çështje radhe, pasi kërkonin të kalonin bashkërisht dhe pa radhë, për shkak të fëmijëve të vegjël që kishin.
Nga stafi i aeroportit është kërkuar ndihma e policisë dhe pas ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, konflikti është mbyllur.
Kryefamiljari, shtetasi A. M., dhe djemtë e tij, që po udhëtonin familjarisht (rreth 18 shtetas, familjarë bashkë me fëmijë të mitur) për pushime në Antalia, Turqi, u kanë kërkuar falje punonjësve, të cilët nuk kanë dashur të ushtrojnë të drejtën e ankimit dhe të vijonin më tej procedurat për këtë rast.
Duke parë reflektimin pozitiv të familjarëve dhe duke marrë parasysh faktin që kishin edhe fëmijë të mitur me vete, si dhe faktin që punonjësit nuk donin të bënin kallëzim, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë këshilluar për moskryerje të veprimeve të tilla dhe i kanë lejuar të vijonin udhëtimin.
Sqarojmë faktin se pretendimet se personat e përfshirë në konflikt janë familjarë të shtetasit Xh. Q., nuk janë të vërteta.