Në çdo demokraci, rotacioni është oksigjen për sistemin. Ai do duhej të sillte përballje idesh dhe rinovim të elitave qeverisëse, mirëpo në Shqipëri ky proces duket se është bllokuar edhe për shkak të një opozite që është e paaftë për të lexuar drejt realitetin politik në të cilën ndodhet ajo dhe vendi.
Në këtë gjendjeje, përveçse qeverisjen, duket se Ramës i ka rënë për pjesë të bëjë edhe atë që do duhet ta bënte opozita: rotacionin.
Emërimi i një dite më parë i një ish-deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim si zëvendësministre në qeveri, është në vazhdën e një vizioni që ka nisur prej kohe e që ka të bëjë me atë se qeverisja nuk duhet të ketë ngjyrime për sa kohë që siguron vazhdimësinë politike.
Rama e kishte paralajmëruar një gjë të tillë, kur, fill pas fitores së 11 Majit, u shpreh se “Shqipëria nuk e ka luksin e burimeve njerëzore për të parë në ngjyrimet partiake”, ndërkohë që Vlora i parapriu një zgjidhjeje të tillë.
Kryeministri Rama e ka ngritur karrierën e tij pikërisht mbi këtë ndryshim. Partia Socialiste e sotme nuk ka asgjë të përbashkët me partinë që ai trashëgoi nga Fatos Nano, ashtu sikurse qeverisja e tij e vitit 2025 nuk ka asgjë të njëjtë me atë të vitit 2013, kur ai fitoi mandatin e parë qeverisës. Për të mos folur pastaj për grupin parlamentar dhe me gjerë.
Ndërsa opozita ka ngrirë në kohë dhe retorikë, Rama ka bërë pikërisht atë që nuk ka ditur të bëjë ajo, due ndryshuar njerëzit, ka eksperimentuar me emra, ka rrotulluar breza në administratë dhe në politikë. Është e kuptueshme se politikisht një gjë e tillë shefit të mazhorancës i ka dhënë rezultate pozitive, për sa kohë që vijon të qeverisë i pashqetësuar, mirëpo pyetja që shtrohet është: a po bën Rama në mënyrën e tij atë që do duhej ta bënte opozita?
Në fund të ditës, demokracia nuk mund të mbështetet vetëm në vizionin dhe ambiciet e një individi të vetëm, sepse gjithonë një opozitë që paraqet një alternativë të besueshme është e shëndetshme për politikën dhe vendin, mirëpo, për sa kohë që nuk gjendet një e tillë, i bie barra qeverisë që të bëjë edhe rolin e opozitës./TemA