Italiani 44-vjeçar Edoardo Sarchi, i cili ka ndërruar jetë në Tepelenë në rrethana ende të paqarta, nuk ishte emër i panjohur në vendin e tij. Sarchi në Shqipëri rezulton administrator i një fabrike tullash ndërsa në Itali njihet në botën e politikës nëpërmjet babait të tij, raporton media italiane Varese Neës.
Babai i tij është Vittorio Sarchi, një figurë historike në politikën lokale. Një mik dhe bashkëpunëtor i senatorit të ndjerë Piero Pellicini – babai i deputetit aktual të Fratelli d’Italia dhe ish-kryetarit të bashkisë së Luino Andrea Pellicini – Vittorio Sarchi shërbeu si Këshilltar për Sigurinë gjatë mandatit të dytë të Gianercole Mentasti dhe si këshilltar bashkiak gjatë mandatit të parë të Andrea Pellicini.
LEXO EDHE:
Biznesmenin italian e ka ‘vrarë’ gjyqtari Engert Pëllumbi, liroi nga burgu Eqerem Braçin pasi plagosi 2 persona, dënoi Tahirin që e denoncoi! I llogariti 10 ditë burg Vangjush Dakos
Pas përvojës së tij administrative, ai kandidoi në listën e qendrës së djathtë Nuova Frontiera, duke mbështetur Pellicinin, duke mbetur aktiv deri në vitin 2015. Ai ndërroi jetë në vitin 2022, në moshën 81 vjeç.
Sipas ANSA-s, Augusto Nidoli, xhaxhai i Sarchi-t, vjen nga një familje ish-guroresh të njohur në provincën e Varese-s dhe më gjerë, dhe themeloi kompaninë italo-shqiptare Edilcentro Ltd në vitin 1996.
Tegola Edilcentro, një kompani prodhimi tullash me seli në Tiranë, në të cilën Sarchi ishte drejtor ekzekutiv, është pjesë e së njëjtës kompani të themeluar nga xhaxhai i tij, e cila tani drejtohet nga kushërinjtë e Sarchi-t, Antonio (kryetar i Bordit të Drejtorëve) dhe Edoardo Nidoli. Antonio Nidoli është gjithashtu president i Dhomës Italiane të Tregtisë në Shqipëri.
“Një familje punëtorësh dhe sipërmarrësish të aftë. Askush nuk mund ta kuptojë se çfarë ndodhi. Edoardo kishte ndjekur gjurmët e xhaxhallarëve dhe kushërinjve të tij dhe tani ishte qytetar i botës’, tha nënkryetari i bashkisë së Cunardo-s, Paolo Sartorio.