Autoritetet braziliane kanë lëshuar një urdhër-arrest për shtetasin shqiptar Ervin Mata, 38 vjeç, i njohur si një biznesmen i profilit të lartë që jeton në Brazil. Vendimi është marrë nga ministri Alexandre de Moraes i Gjykatës së Lartë Federale (STF), më 11 mars të këtij viti, por është bërë publik vetëm më 23 shtator, shkruan CNN Brazil.
Masa është marrë në kuadër të një kërkese për ekstradim të paraqitur nga autoritetet shqiptare, ndërkohë që çështja po trajtohet në mënyrë konfidenciale nga STF ndërsa deri më tani, Mata nuk është arrestuar.
Në vendimin e Gjykatës së Lartë Federale, ministri Alexandre de Moraes thekson se qëllimi i paraburgimit është garantimi i ekzekutimit të urdhrit të ekstradimit:
“DEKRETOJ arrestimin paraprak të ERVIN MATA-s, duke urdhëruar lëshimin e një urdhër-arresti, përmbushja e të cilit duhet t’i komunikohet menjëherë kësaj Gjykate Supreme, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit të interesuar.”
Ervin Mata është shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2023 për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal me aktivitet në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Europë.
Në këtë grup kriminal prej 11 personash, të përfshirë janë dhe ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani (gjithashtu dhe kunati i Ervin Matës).
Sipas SPAK grupi kriminal dyshohet se ka lidhje me disa episode të sekuestrimit të trafikimit të lëndeve narkotike në Holandë, Brazili, Kolumbi, Spanjë si dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian si dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipërisë si dhe raste të pastrimit të parave.
Bëhet fjalë për 4 raste sekuestrimi droge:
Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;
Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;
Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erëitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;
Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani