Ministria e Drejtësisë nuk është pajtuar me vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për të arkivuar ankesën ndaj prokurores së Prokurorisë së Shkodrës Elsa Gjeli.
Në një përgjigje zyrtare për Euronews Albania, ministria e Drejtësisë bën me dije se ka paraqitur ankim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në datën 24 shtator.
Ministria e Drejtësisë kërkoi më 10 korrik nisjen e procedimit disiplinor për prokuroren Gjeli, vendosi mosfillimin e procedimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren, për ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit.
Por kreu i ILD-së njoftoi ministrinë e drejtësisë më 19 shtator se nuk janë konstatuar elementë juridikë apo faktikë të cilët krijojnë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates Elsa Gjeli.
Tashmë do të jetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë që do të vendosë për pretendimet e ekzekutivit dhe vendimarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.