Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim ligjor kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.
Prej janari deri në dhjetor të vitit 2026, i gjithë vendi do të përfshihet në fushatën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Ky proces do të bëhet përmes një norme tatimore prej 5%, ndryshe nga sa është aktualisht prej 15% nëse shitet prona.
Kjo është norma më e lartë tatimore e aplikuar ndonjëherë për këtë proces, që prej kur ka ndodhur rivlerësimi i parë, që është e njëjtë si për bizneset dhe për individët. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.
Pas procesit të rivlerësimit tregu sipas ekspertëve do të ndryshojë. Më shumë prona do të hidhen në treg për tu shitur, dhe më shumë mundësi do të ketë nga qytetarët për të blerë, pasi përfitojnë si nga tatimi i reduktuar, po ashtu edhe nga fakti që vlera e pronës është e njëjtë me atë të tregut.
Rivlerësimi do të kryhet me dy procedura. E para përmes një vlerësuesi të pasurive të paluahtshme, i cili e vlerëson pronën duke e përafruar me çmimet në treg, dhe së dyti përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por këtë herë vlera e pronës afrohet vetëm me referencat që ka zona.





