Për Albana Koçiun zv.kryeministre, Toni Gogun Ministër të Drejtësisë, Besfort Lamallarin të Brendshëm, Erjona Ismailin Ministre Shteti për Parlamentin, Ferit Hoxhën kryediplomatin e ri, Ermal Nufi te Mbrojtja si dhe për Enea Karakaçin, që zëvendëson Belinda Ballukun te Infrastruktura dhe Energjia, votës së socialistëve iu bashkuan edhe kartonët jeshilë të deputetëve të Partisë Social-Demokratike.
Hoxha, Karakaçi dhe Nufi, që vijnë rishtazi në qeveri, votëbesimin e ndoqën nga lozhat e Kuvendit.
Ministrat e rinj do të betohen te Presidenti në orën 10:00, në një ceremoni që do të mbahet në Pallatin e Brigadave.
Kuvendi votoi edhe shkarkimet e tashmë ish ministrave, me dekretin për Belinda Ballukun që më shumë se të tjerët mori shumicë të cilësuar, 85 vota pro shkarkimit.
Për votimin e ndryshimeve të propozuara prej tij, në seancë nuk mori pjesë kryeministri Edi Rama. Mungoi edhe vetë Balluku, që me shkarkimin nga 2 detyrat në qeveri, tashmë do të duhet të zërë një karrige mes deputetëve socialistë.





