Antena
Lajmi se PD kërkoi nga KQZ 50 kuti votimi, 100 dhoma të fshehta dhe 500 vula sigurie për zgjedhjet e 23 majit për kryetar të PD kishte tronditur edhe Lelon.
-Nuk e kuptoj, i tha, pse kërkojmë 100 dhoma të fshehta dhe 50 kuti. Çfarë na duhen 50 dhoma të fshehta tepër?
-Nuk kupton nga zgjedhjet në parti ti, i tha Muli. Dy dhoma të fshehta bëhen që të mos ketë radhë, pastaj ata dalin dhe votojnë në të njëjtën kuti.
-Ah, po, tha Lelo. Po gjithë këto vula sigurie pse duhen?
-Kemi të dhëna se Salianji na ka kopjuar vulat e sigurisë që kemi pasur në kuvendin e parë, ku Lul Basha kandidonte me Agron Shehaj, dhe do t’i përdorë në këto zgjedhje për të hapur kutitë pa u numëruar. Për këtë kemi marrë masa të marrim të reja.
-Po kush do të na i prishë vulat, se ne s’kemi kandidat tjetër? tha Lelo.
-Këtu është kyçi i suksesit, tha Muli. Ne duhet ta nxjerrim rezultatin 98 për qind për Doktorin dhe 2 për qind kundër. Kjo ka shumë rëndësi. Ajo që po bën Salianji është që të nxisë demokratët të votojnë kundër Doktorit, duke menduar që ne do t’i lëmë kutitë në mëshirë të tij dhe numëruesve të tij. Ne duhet t’i kemi kodet e kutive, t’i mbushim, t’i kemi të sigurta te SHQUP, pastaj fillojmë procesin në gjithë Shqipërinë. Kur mbaron procesi, çojmë kutitë me kod të rregulluar dhe e bëjmë tërësisht transparent numërimin.
-Nuk më kishte shkuar mendja tek kjo skemë, tha Lelo.
-Kjo skemë e nxjerr Doktorin 98 për qind. I thashë njëherë ta bëjmë 99 për qind, por tha jo, se aq ka fituar këtë javë edhe Kim Jong, duhet 98 për qind. Kështu pas kësaj është e qartë se gjithë armiqtë e Doktorit kanë 2 për qind. Nuk i merr njeri seriozisht.
-Qenka zgjidhje e duhur, tha Lelo. Dhe transparente si zgjidhje.





