Protestat në Tiranë po zhvillohen me një klimë tensioni edhe ndaj mediave. Disa protestues kanë pasur qëndrime armiqësore ndaj mediave e gazetarëve, episode të përsëritura prej disa ditësh. Një rast u regjistrua edhe sot në sheshin “Skënderbej”, kur ende nuk kishte nisur marshimi drejt Kryeministrisë.
Një protestues, i cili siç shihet në foto shfaqet me hundën e fashuar, ka shkuar deri në pikën sa t’u vërë ngjitës lenteve të kamerave, ndërsa edhe kërcënon gazetarët. Raportohet se kjo nuk është hera e parë që ndodh një sjellje e tillë ndaj mediave nga ky protestues, pasi veprimet e tij vijojnë prej disa ditësh.
Aktivisti Arben Kola u ka bërë thirrje të tjerëve për të shmangur sjellje të tilla.
Edhe ditën e djeshme, protestuesit sulmuan gazetaren e Top News, Keida Muka gjatë raportimit duke e shtyrë dhe lagur me ujë. Ndërkohë, gjatë protestës së dhunshme te Kuvendi pre e sulmeve me vezë ka rënë edhe gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu. Për këtë episod, policia ka arrestuar protestuesin Arbër Lleshaj.
Ora News ka raportuar se protestues kanë penguar dhe kanë cenuar fizikisht ekipin e televizionit, gazetarin Bekim Bici dhe operatorin Atilio Bleta gjatë protestës .
Edhe më 30 qershor, një grua që u prezantua si gazetare shqiptare në Athinë u bë objekt i dhunës nga protestuesit, vetëm sepse dikush e etiketoi si “patronazhiste”. Ndërsa e ndiqnin me gisht, mes turmës, një nga pjesëmarrësit i derdhi asaj mbi kokë një shishe me lëng frutash. U desh ndërhyrja e një pjesëmarrëse në protestë, për të shmangur linçimin e mëtejshëm të emigrantes.
Asocacioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar dhunën ndaj gazetarëve në protestë, duke thënë se çdo akt dhune apo intimidimi ndaj tyre është i papranueshëm dhe duhet të hetohet e të ndëshkohet pa asnjë përjashtim.








