Mbledhja e djeshme për krijimin e “Kuvendit Kombëtar Qytetar” të protestës duket se ka hapur një debat të fortë brenda vetë radhëve të organizatorëve dhe mbështetësve të lëvizjes.
Ndërsa publikisht u njoftua se grupi i punës kishte miratuar platformën dhe kriteret e anëtarësimit për Kuvendin, mesazhet e shkëmbyera në një grup WhatsApp-i prej më shumë se 500 personash tregojnë se brenda organizatorëve ka pakënaqësi, dyshime dhe përplasje mbi mënyrën se si është marrë kjo nismë.
Në një reagim në mediat sociale mbrëmjen e të premtes, gazetari Armir Shkurti shkruante se “80 shqiptarë me kokën ulur dhe vendosmëri” punuan për “Kuvendin Kombëtar Qytetar të Protestës”. Sipas tij, grupi i punës miratoi në unanimitet platformën dhe kriteret e anëtarësimit pas pesë orësh mbledhje.
Por në grupin e brendshëm të komunikimit, jo të gjithë duket se ndajnë të njëjtin entuziazëm. Disa prej pjesëmarrësve kanë ngritur pyetje të drejtpërdrejta për legjitimitetin e grupit nismëtar dhe për mënyrën se si ai po pretendon të organizojë përfaqësimin e protestuesve.
“Kush e zgjodhi grupin e punës?”, “Kush vendosi që këta persona ta organizojnë Kuvendin?”, “Si u njoftuan protestuesit?” dhe “Kush garanton transparencën e procesit?”, janë disa nga pyetjet që shfaqen në diskutimet e brendshme.
Në një nga mesazhet, një pjesëmarrës thekson se nëse Kuvendi synon të përfaqësojë protestuesit, atëherë procesi duhet të jetë i hapur dhe jo të paraqitet si vendimmarrje e një grupi të vogël.
“Në demokraci ka një dallim të madh mes ‘ne propozojmë’ dhe ‘ne përfaqësojmë’. Propozimin mund ta bëjë kushdo. Përfaqësimin e jep vetëm komuniteti që përfaqësohe”, shkruhet në një nga reagimet.
Një tjetër mesazh e përmbledh kritikën me fjalët: “Legjitimiteti nuk shpallet; fitohet.”
Përballë këtyre kritikave, mbështetës të nismës janë përgjigjur se grupi i punës nuk është vetë Kuvendi, por vetëm një strukturë paraprake për ta përgatitur atë. Sipas tyre, ftesa ka qenë publike dhe kush ka dashur ka pasur mundësi t’i bashkohet procesit.
“Grupi i Punës nuk është Kuvend. Kuvendi nuk është krijuar ende. Në mbledhjen e Kuvendit do të ftohen të gjithë pa përjashtim”, thuhet në një nga mesazhet mbrojtëse.
Megjithatë, debati ka vijuar me tone të forta. Disa pjesëmarrës kanë kërkuar që të mos mendohen gjatë për atë që duhet bërë në këtë fazë, duke argumentuar se prioriteti kryesor është largimi i qeverisë aktuale dhe jo zgjedhja e lidershipit të ardhshëm. Të tjerë kanë këmbëngulur se pikërisht në momentin kur krijohen struktura përfaqësuese, transparenca bëhet edhe më e rëndësishme.
“Historia na mëson se gabimet më të mëdha nuk bëhen në kulmin e protestës, por në momentin kur fillojnë të krijohen strukturat përfaqësuese”, shkruhet në një tjetër mesazh.
Polemikat tregojnë se nisma për “Kuvendin Kombëtar Qytetar” ka nxjerrë në sipërfaqe një ndarje të brendshme mes atyre që kërkojnë organizim të shpejtë dhe atyre që kërkojnë më parë një proces të qartë, të hapur dhe të verifikueshëm.
Ajo që bie në sy në debatet e brendshme është edhe përmendja e aktivistit Edviol Kulluri si një nga nismëtarët e idesë për “Kuvendin Kombëtar Qytetar”. Emri i tij është lakuar edhe më herët në polemikat publike rreth protestës, pasi pak ditë më parë kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një postim ku e paraqiste Kullurin si një nga “13 flamurtarët firmëtarë të protestës së bulevardit”, duke renditur një sërë procedimesh të pretenduara ndaj tij ndër vite.
Në postimin e tij, kryeministri shkruante se Kulluri ka qenë i proceduar për disa raste, që nga rrahje në bashkëpunim, vjedhje energjie, pjesëmarrje në protestë të paligjshme, kanosje, plagosje të lehtë dhe dhunë në familje. Këto pretendime nuk janë komentuar në njoftimin e grupit nismëtar, por përmendja e Kullurit si nismëtar i idesë për Kuvendin shton një tjetër element polemik në debatin e brendshëm të protestës.
Në vend që të qartësonte rrugën e përfaqësimit, “Kuvendi Kombëtar Qytetar” duket se ka prodhuar më shumë përçarje sesa organizim. 








