Pas valës së protestave të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën prej 4 ditësh, opozita i ka kërkuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, por ky i fundit është i qartë se nuk tërhiqet. Gjatë inspektimit të një biznesit të dëmtuar, Rama tha se përgjegjësia e tij në këto momente është të mbrojë qytetarët, të garantojë drejtësinë dhe të vijojë përpara me mandatin e shumicës qeverisëse, që sipas tij synon anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030.
Kryeministri tha se respekton studentët dhe të drejtën e tyre për të protestuar, por theksoi se nuk do të lejojë që e ardhmja e vendit të rrezikohet për përfitime politike apo nga ato që i cilësoi si ndërhyrje të huaja.
“Ne i respektojmë studentët, unë e çmoj forcën e ëndrrave dhe shpresave të tyre si motorin e të ardhmes, si shtysën e të gjithëve ne për të ecur me shpejt përpara. Zëri i tyre, zëri i të rinjve dhe i çdo qytetari që sot ka nevojë të protestojë duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si një e drejtë për të cilën ne të gjithë kemi luftuar në kohë të ndryshme, por pikërisht se të rinjtë janë e ardhmja jonë, unë nuk do të lejoj askënd dhe asgjë ta rrezikojë të ardhmen e këtij vendi ku rriten ata dhe çdo fëmijë i Shqipërisë. As për përfitime politike të atyre duarve të paudha që janë rikthyer me tërbimin e djegies e shkatërrimit, as për qëllime të mbrapshta të duarve huaja që janë futur për të na ndalur, por as për ndonjë qëllim tjetër.
Përgjegjësia ime është më e qartë në këto orë të vështira se sa në çdo ditë të mirë; të mbrojë qytetarët tanë, të garantojë drejtësinë dhe ta çojë Shqipërinë përpara, së bashku me këtë shumicë qeverisëse që ka një mandat shumë të qartë: Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Mos harroni se kemi arritur gjëra të jashtëzakonshme në një dekadë të vetëm. Kemi nisur të mbyllim negociatat në rrugën drejt majës ku do ta çojmë Shqipërinë me flamurin e Ismail Qemalit e të Skënderbeut në shtëpinë e Europës së përbashkët.
Kemi trefishuar Prodhimin e Brendshëm të vendit nga më pak se 10 miliard në thuajse 30 miliard euro. Kemi tërhequr gjithnjë më shumë investime të huaja, e kemi zgjeruar industrinë tonë të turizmit në një volum që as imagjinohej deri disa vite më parë dhe i kemi dhënë Shqipërisë dinjitetin që se ka pasur kurrë në sytë e mbarë botës.
Pagat. Pagat nuk janë asnjëherë mjaft, por kanë vazhduar të rriten dhe të rriten përsëri e përsëri, ndërkohë që borxhi publik është ulur vijimësisht në nivele historike. Sot shërbimet janë në masën dërrmuese me një klik përmes celularit apo kompjuterit më të afërt. Sot Shqipëria është një vend tjetër dhe me këto arritje, me këtë bazë unë do të vazhdoj bashkë me ju ta çojmë Shqipërinë përpara, të ndërtojmë atë Europë këtu që na është mohuar për kaq e kaq shumë dekada e shekuj. Do të mbrojmë të drejtën e çdo studenti shqiptar për t’u arsimuar. Do të mbrojmë të drejtën e çdo shqiptari për të punuar dhe jetuar me punë të ndershme”, tha Rama.
