Fox News Digital ka publikuar një investigim që e vendos edhe Shqipërinë brenda një rrjeti më të gjerë protestash europiane, të mbështetura, koordinuara ose amplifikuara nga dhjetëra organizata të së majtës radikale, komuniste, socialiste dhe antifashiste.
Sipas investigimit, janë identifikuar 101 organizata në nëntë vende që kanë rol në këtë ekosistem protestash, ku ndryshe nga sa thuhet, vetëm 33 prej tyre drejtohen nga studentë apo të rinj, ndërsa pjesa tjetër përfshin organizata komuniste, trockiste, socialiste revolucionare, grupe Antifa, rrjete propalestineze dhe lëvizje kundër militarizimit.
Për Shqipërinë, elementi më i rëndësishëm është se Tirana përmendet drejtpërdrejt në narrativën e këtyre rrjeteve. BreakThrough News, një media e përfshirë nga Fox News mes amplifikuesve ndërkombëtarë, i ka paraqitur protestat “nga Parisi dhe Madridi në Lisbonë dhe Tiranë” si pjesë të së njëjtës “revoltë të të rinjve”.
Në të njëjtin investigim përmendet edhe Progressive International, një rrjet transnacional i së majtës, i cili i ka grupuar protestat në Shqipëri me ato në Francë, Spanjë dhe Indi, duke deklaruar se po punon për t’i “mbështetur dhe lidhur” këto forca.
Lista e Fox News përfshin emra si Révolution Permanente, Parti de l’égalité socialiste, Revolutionary Communist Group, Socialist Students, International Socialist Alternative, Party for Socialism and Liberation dhe organizata që përdorin hapur etiketën “Antifa”.
Një pjesë e këtyre organizatave po promovojnë edhe një grevë ndërkombëtare të të rinjve më 20 nëntor, me thirrje për protesta, bojkot të mësimit, bllokime dhe okupime. Manifesti i kësaj nisme e cilëson kapitalizmin si burim të luftës, pabarazisë dhe krizës klimatike dhe kërkon “ndryshim radikal të sistemit”.
Në këtë sfond, protesta e Tiranës nuk paraqitet më vetëm si një zhvillim i brendshëm shqiptar, por si pjesë e një narrative më të gjerë që po promovohet nga rrjete të organizuara të së majtës radikale në Europë dhe SHBA.


