Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një video të realizuar me inteligjencë artificiale, përmes së cilës ka përcjellë një mesazh nga paraburgimi.
Veliaj ka deklaruar gjithashtu se, pavarësisht qëndrimit në paraburgim, ka vijuar të merret me projektet e Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, së fundmi ka miratuar projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja.
Ai pretendon se, me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të tij arrin në 130.
“Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!
Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130!
Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!”, thotë Veliaj.



