Hetimet mbi kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, do të thërresin në Prokurori kryedemokratin Lulzim Basha si edhe ish-sekretarin e përgjithshëm, Arben Ristani.
Prokuroria nisi hetimet pas shkrimit në revistën amerikane “Mother Jones” lidhur me fondet që kjo parti ka paguar për aktivitete të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve të qershorit 2017.
Janë katër kontrata të dyshimta me vlerë rreth 600 mijë dollarë, para të cilat vijnë nga kompania “Binita Trade” pronë e dy shtetasve rusë. Paratë janë dërguar në llogaritë e kompanisë së Nikolas Muzin, i cili ka mundësuar takime të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha me administratën e Presidentit amerikan apo zyrtarë te lartë atje .
Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja.
Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale.