Fundoset Anastas Angjeli. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka nisur hetimet ndaj deputetit socialist, i cili dyshohet se ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit.
Më datë 25.04.2019 gazeta “Sot” publikoi një shkrim, në të cilin tregohet se si deputeti Anastas Angjeli në vitin akademik 2015-2016, ka dhënë mësim si pedagog i brendshëm në Universitetin Mesdhetar të Tiranës (universiteti i tij privat).
Por një gjë e tillë bie ndesh me nenin 28 të ligjit Nr .9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Ligji në fjalë e ka bërë të qartë se deputetët nuk mund të jenë të dypunësuar, pasi ata duhet të japin mësim vetëm si pedagogë të jashtëm.
Pas denoncimit, gazeta ju drejtua me një shkresë ILDKP dhe kjo e fundit ka bërë me dije se ka nisur menjëherë hetimet, për të zbuluar skandalet e deputetit.
“Në përgjigje të kërkesës suaj dërguar me anë të postës elektronike në datë 24 maj, 2019, ILDKPKI në shqyrtim të të gjitha pikave të parashtruara në këtë kërkesë, ju bën me dije për sa më poshtë vijon: ILDKPKI, bazuar në ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, si dhe në zbatim të Kodit të Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë, ka filluar menjëherë hetimin administrativ për verifikimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rastit të dyshuar të konfliktit të interesit, në ushtrimin e funksionit publik, për zyrtarin Anastas Angjeli, Deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e ILDKP për gazetën.
Kjo do të thotë se deputeti socialist rrezikon të ndëshkohet. Ai ka shkelur hapur ligjin me të dyja këmbët, ndërkohë që institucionet deri më tani kishin mbyllur sytë. Teksa ILDKP është vënë menjëherë në lëvizje, prokuroria nuk ka bërë asgjë, pasi shkeljet e Angjelit janë të pafundme. Universiteti Mesdhetar drejtohet nga djali dhe bashkëshortja e tij, ndërsa vetë Angjeli është president nderi.
Pra kemi pafund shkelje dhe deri më tani nuk është marrë asnjë masë ndaj këtij personi. Mbetet të shihet nëse ILDKP do i shkojë deri në fund, pasi prokurori po fle. Ashtu siç ka ndodhur deri më sot, edhe tani asnjë zyrtar nuk hyn në lupën e prokurorisë, përfshirë dhe Angjelin.
Shkeljet e deputetit
Gazeta “Sot”, në saj të një investigimi, ka siguruar raportet e akreditimit që janë bërë nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë në bashkëpunim me kompaninë britanike, për Universitetin mesdhetar të Tiranës, i themeluar nga Anastas Angjeli. Në çdo raport akreditimi të realizuar nga ASCAL, jepen me detaje dhe të dhënat e stafit pedagogjik, ku ndahen pedagogët efektivë, ose ata me kohë të plotë dhe pedagogët me kohë të pjesshme ose të njohur si personel akademik me kontratë.
Edhe në rastin e Universitetit Mesdhetar janë dhënë të gjitha informacionet në bazë të konstatimeve që janë bërë nga grupi i akreditimit, i cili ka vizituar personalisht universitetin. Por në raportin e akreditimit për profilin “Master i Shkencave Financë-Bankë”, viti akademik 2015-2016 rezulton se pedagogë efektivë (të brendshëm) janë: Mimoza Ahmeti (lektor); Niko Pano (lektor); Vladimir Mici (lektor); Ira Gjika (lektor); Rudina Qurku (lektor) dhe Anastas Angjeli (lektor).
Në vitet e tjera, Angjeli rezulton si pedagog me kontratë, pra i jashtëm, por në periudhën 2015-2016 ai figuron i brendshëm, që do të thotë se ka qenë i dypunësuar me kohë të plotë. Në nenin 28 të ligjit për konfliktin e interesit, në fund të pikës 2, thuhet qartë se asnjë deputet nuk mund të ushtrojë funksion tjetër me kohë të plot, përfshirë dhe mësimdhënia.
Praktika deri më tani ka treguar se ka shumë deputet që japin mësim në fakultete, por të gjithë janë me kontrata të përkohshme dhe jo me kohë të plotë. Pra kanë qenë si pedagog të jashtëm, pasi ligji nuk e lejon. Angjeli ka shkelur për një vit ligjin me të dyja këmbët.
Kliti Topalli