Themeluesi i Partisë Demokratike dhe ish ministri i PD-së Arben Imami thotë se pas 5 muajsh aksioni opozitar, kjo parti duhet të futet në një moment reflektimi pasi nuk pati rezultat. Imami tha se Jozefina Topalli kishte të drejtë kur akuzoi Bashën pas 30 qershorit se tashmë PD përveç se nuk ka përfaqësim në Parlament, s’ka më asnjë bashki. Sipas ish-ministrit demokrat, pas thirrjeve ‘Rama ik’, kryeministri jo vetëm që nuk iku, por në fakt iku vet PD-ja.
‘Pas këtij aksioni opozitar 5 mujor është e arsyeshme që të bëhet një moment reflektimi dhe të shihen konkluzione dhe përfundimet mbi situatën që kaloi dhe mbi atë që ndodhen aktualisht. Protestat nuk dhanë rezultate.
Për të gjykuar një veprim nëse është i mirë apo i keq, duhet që qëllimi të jetë i mirë, mjetet të jenë të mira dhe rezultati të jetë i mirë.
Nëse një nuk qëndron, vihet në pikëpyetje. Qëllimet ishin të mira, mjetet ishin të diskutueshme, por rezultati ishte i gabuar dhe problematik. Jozefina kishte të drejtë. Rezultati nuk ishte i mirë dhe nuk mund të thuash që fituam. PD ngeli pa përfaqësim si në parlament ashtu edhe në bashki.