Infrastruktura për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion duket se është gati. KLP brenda javës zgjedh prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa menjëherë do ngrihet dhe Gjykata e Posaçme, e cila do ketë kapacitet të plotë, pasi do të jenë pjesë të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda. Por duke qenë se SPAK po afron, Krimet e Rënda kanë nisur të bëjnë gati terrenin e transferimit të dosjeve dhe përgatitjes së infrastrukturës.
Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni deklaroi se gjithçka është gati. Në një intervistë televizive, ai u shpreh se janë marrë dhe masat organizative, është hartuar strategjia për buxhetin, ridimensionimi i sistemit të sigurisë dhe aftësimi i teknologjisë për serverat, regjistrat si dhe emërtesat dhe togat e reja. Po ashtu ai ka deklaruar se janë bërë dhe gati dosjet që janë në gjykim, të cilat do të kalojnë te SPAK. “Çështjet që janë në gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me korrupsionin ose krimin e organizuar, mbeten sërish në kompetencën e Gjykatës së Posaçme dhe ne do vijojmë me shqyrtimin e tyre. Janë më tepër se 30 çështje, qe i referohen më shumë se 200 të pandehurve”, tha Simoni. Por ashtu si gjykata, edhe prokuroria do të duhet të transferojë dosjet te Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Në bazë të raportit vjetor të Krimeve të Rënda, gazeta ka mësuar se janë rreth 400 të pandehur, dosjet e të cilëve do të kalojnë te Prokuroria e Posaçme. Nga këta 69 janë zyrtarë të kategorive të ndryshme. “Duke kaluar në një analizë me shifra për treguesit e kriminalitetit dhe të punës së prokurorisë në ushtrimin e ndjekjes penale, zgjidhjen përfundimtare të çështjeve, cilësinë e zgjidhjes, evidentohet se kjo prokurori ka ushtruar ndjekjen penale, duke hetuar gjithsej 703 procedime penale, dhe – 35 procedime penale të bashkuara në total 668 çështje për vitin 2018. Nga këto kanë marrë zgjidhje 213 procedime, ndërkohë që u mbartën për vitin 2019, 455 procedime”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Më tej theksohet e 69 të proceduar për korrupsion, janë mbartur nga viti 2018 për vitin aktual. Pra 200 të pandehur kishte Gjykata e Krimeve të Rënda dhe 455 ka prokuroria, shkojnë në 655, por ka dhe procedime të reja gjatë këtij viti në prokurori dhe do të thotë se ky numër ka shkuar në mbi 700. Pra janë 700 bosë krimi dhe zyrtarë që do të kalojnë në duart e FBI. Sapo SPAK të ngrihet një përfaqësues i FBI do jetë aty dhe do asistojnë që të goditet fort krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Emrat e njohur
Nga ngritja e SPAK janë të rrezikuar padyshim të gjithë politikanët që kanë vjedhur taksat e qytetarëve. Por mes tyre ka dhe nga ata që do u vijë radha më shpejt. Mes dosjeve që do kalojnë te SPAK, ka emra mjaft të njohur. I pari është kryeprokurori Adriatik Llalla. Ai po hetohet nga Krimet e Rënda për 4 vepra penale dhe afatet hetimore. Sapo SPAK të ngrihet, dosja e tij do kalojë menjëherë aty. Një tjetër emër është kreu demokrat Lulzim Basha. Ai po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për lobimet në SHBA. Basha së fundmi u mor i pandehur për pastrim parash dhe për mosdeklarim të shpenzimeve në fushatë. I rrezikuar është dhe ish-kryeministri Sali Berisha, djali i tij dhe disa ish-ministra. Një dosje që ka mbetur e hapur nga prokuroria është ajo e CEZ. Në prokurori ka një padi nga Kuvendi dhe një nga juristi Romeo Kara ndaj rreth 21 zyrtarëve. Edhe kjo dosje kalon te SPAK. Sipas ligjit të luftës antikorrupsion, pas dosjeve të prokurorisë, do ketë transferim dhe të çështjeve që janë te Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo do të thotë se nga zyrtarët rrezikon ish-ministri Saimir Tahiri. Përfitimi i tij i vetëm është se hetimet janë mbyllur dhe është në proces gjykimi. Sinjalet janë se era e luftës antikorrupsion po fryn dhe mbetet të shihet se kush do e pësojë. /Kliti Topalli