Nga Adriatik Doçi
Mbyllja e Open Data Albania për mungesë fondesh është një goditje e rëndë për zhvillimet demokratike në Shqipëri.
Mbyllja e Open Data Albania kufizon raportimin mediatik në bazë evidencash dhe transparencën mbi menaxhimin e pasurisë dhe parave publike, duke dëmtuar rëndë luftën kundër korrupsionit, informimin e publikut, llogaridhënien etj.
Open Data Albania nuk është një portal i zakonshëm të dhënash.
Open Data Albania është një thesar për gazetarët dhe një bazë e jashtëzakonshme të dhënash për tenderat dhe koncensionet, për privatizimin dhe tjetërimin e pasurive publike, për transaksionet e thesarit, për veprimtarinë e kompanive, ndryshimet dhe historikun, për pasurinë e pushtetarëve dhe ish pushtetarëve, për aktivitetin e bashkive, për lëvizjen e parave publike etj.
Open Data Albania është baza e shumë investigimeve serioze mediatike, të cilat kanë shërbyer si indicie për SPAK për regjistrim të procedimeve penale dhe goditur skema korruptive.
Në vitin 2016 – 2018 ky instrument i rëndësishëm u mbështetën nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës si pjesë e aktiviteteve dhe instrumenteve të Projektit Money, Government and Politics, ndërsa në periudhën 2021 – 2023 u mbështet nga Ambasada Suedeze përmes Programit Open Data Access and Transaprency over Sectors exposed to Risk of Corruption.
Për 2024 e vijim Organizata AIS, që mundëson aktivitetin e Open Data Albania, edhe pse ka aplikuar, nuk ka mundur të sigurojë ri-financim për të vijuar punën në ndihmë të aktivistëve dhe gazetarëve.
Partnerët ndërkombëtar duhen falenderuar për mbështetje gjatë viteve 2016-2023. Natyrisht që nuk është etike të akuzojmë ambasadat për sabotimin e një projekti të rëndësishëm për zhvillimet demokratike, të cilët e kanë mbështur me financim.
Por, nëse partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e kanë seriozisht angazhimin për mbështetjen për median e pavarur, nxitjen e transperencës dhe shoqërinë civile, duhet mbështesin Open Data Albania, edhe si një garanci për pavarësi të kësaj baze evidencash për median dhe aktivistët.
Miliona euro akordohen çdo vit nga paratë e taksapaguesve evropianë dhe amerikanë, para të cilat shpeshherë përfundojnë në xhepat e një çete marifetçinjsh me vila në Palasë, Rolling Hills, Gjirin e Lalzit, etj. Nga ana tjetër, projekte konkrete dhe me impakt real në zhvillimet demokratike lihen pa mbështetje.