Thirrje të rënda antishqiptare u hodhën në një ndeshje basketbolli në Kumanovë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Të pranishëm aty ishin krerët më të lartë maqedonas të shtetit, por edhe kolegë të tyre, politikanë shqiptarë.
Por ajo që vëren analisti nga Prishtina, Blerim Latifi, është një situatë edhe më shqetësuese. Ai thotë se shkombëtarizimi kulturor i Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe defaktorizimi i tyre politik ka arritur në këtë pikë sa nuk pati asnjë reagim ndaj incidentit që cënon drejtpërdrejt identitetin e tyre kombëtar.
Megjithatë, ai shton, se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të “mbesin në fyt”, nëse bëhet fjalë për Palestinën.
“Në një ndeshje basketbolli në Maqedoninë e Veriut janë bërë thirrje për ndërtimin e dhomave të gazit për shqiptarët – madje në prani të vetë kryeministrit maqedonas. Siç dihet, dhomat e gazit janë simbol i shfarosjes së një populli.
Nga ajo që shihet, reagimi i shqiptarëve atje është pothuajse inekzistent. Dhe arsyet janë të qarta: defaktorizimi politik dhe shkombëtarizimi kulturor i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka arritur në atë pikë, saqë edhe një retorikë kaq brutale dhe antishqiptare si kjo nuk prodhon më as ndjeshmëri, as reagim.
Atje, shqiptarët të mbesin në fyt për Palestinën, por jo për çështje ku cenohet drejtpërdrejt identiteti i tyre kombëtar. Dhe kjo i thotë të gjitha”, shprehet Latifi.